Dënohet me burgim me kusht drejtori i shkollës në Suharekë që përjashtoi arsimtaren me shami


Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit” në Reshtan të Suharekës, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren lidhur me akuzën që ka rënduar ndaj tij për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti lidhet me mësuesen me shami, të cilës akuzohej se ia ndaloi hyrjen në shkollë, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij.

Sinjali ka siguruar vendimin ku thuhet se gjykata e ka dënuar me burgim me kusht, duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti dhe “njëkohësisht urdhëron që ky dënim të mos ekzekutohet nëse në kohën e verifikimit prej 2 vitesh, nuk kryen vepër tjetër penale.”

Sipas Prokurorisë i pandehuri në gusht të vitit 2022, kishte vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e detyrës dhe t’ia mohojë nënshkrimin në listën e arsimtarëve prezent.

Megjithëse, për shumë vite përcolli breza të nxënësve, mësueses iu pamundësua hyrja në shkollë kur vendosi të barte shaminë.

Përball kësaj akuze, ish drejtori ishte deklaruar i pafajshëm.