MPB serbe shpall në kërkim Faton Hajrizin, ia publikon fotografinë


Pjesëtarët e MPB-së serbe kanë thënë se intensivisht janë në kërkim të Faton Hajrizit, i cili dyshohet për vrasjen e policit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e policit Vjekoslav Iliq mbrëmë në Lloznicë.

“Ftojmë qytetarët të lajmërojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose të kontaktojnë komisariatin më të afërt nëse e vërejnë personin në foto ose kanë informacion për lëvizjet e tij”, tha MPB-ja serbe.

Me këtë njoftim, MPB-ja serbe e konfirmon se Faton Hajrizi është tashmë i dyshuari kryesor për ngjarjen në Lloznicë.

Hajrizi dyshohet për vrasjen e policit 34-vjeçar serb, Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e oficerit tjetër policor, Vjekoslav Iliq.

Të shtënat me armë kanë ndodhur kur policët gjatë një kontrolli rutinë kanë ndaluar një automjet me targa turke. Në vend është gjetur një pasaportë e Kosovës dhe një letërnjoftim gjerman në emër të Artan Hajrizit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se informacionet për deklaratën e Artan Hajrizit se vëllai i tij ia ka marrë dokumentet janë të rreme, sepse nëse vëllai i tij tashmë kishte ardhur në Gjermani, pse do të kthehej në Preshevë.

Daçiq ka thënë se ka qenë sulm terrorist, andaj rastin po e merr Prokuroria për Krim të Organizuar, sepse është sulm ndaj një polici në detyrë.