Dimra pa borë, vera deri në 50 gradë, si do të jetë klima në Maqedoni në vitin 2080?


Temperaturat e larta dhe nxehtësia që ndjejmë si pasojë e ndryshimeve klimatike nuk do të ulen. Dimrat në Maqedoni dhe në vendet përreth do të jenë më të ngrohtë dhe rrallë do të bjerë borë, ndërsa valët e të nxehtit do të zgjasin më shumë me temperatura gati 50 gradë Celsius, raporton 360 Gradë.

Këto janë parashikimet e shkencëtarëve me ndikim që merren me ndryshimet klimatike. Njëri prej tyre, Matthew Fitzpatrick, profesor në Qendrën për Studime Mjedisore në Universitetin e Maryland, SHBA, krijoi një hartë interaktive duke përdorur të dhënat nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPPC).

Ai tregon edhe Maqedoninë, gjegjësisht kryeqytetin Shkupin dhe jep një parashikim se si do të jetë klima në më pak se gjashtëdhjetë vjet. Temperatura në Shkup në vitin 2080 gjatë periudhës së verës pritet të jetë 7,5 gradë më e lartë se ajo aktuale në vitin 2024. Do të jetë më thatë, pasi lagështia pritet të ulet me 12.4 përqind.

Edhe dimrat do të jenë më të ngrohtë, ndaj parashikohet të rriten me 4.7 gradë në krahasim me ato aktual në atë periudhë të vitit. Supozohet se në kushte të tilla nuk mund të priten reshje bore, ndërsa si faktor shtesë tregohet se lagështia e ajrit në muajt e dimrit do të jetë më e ulët se ajo aktuale për 1.7 përqind.

Hartën interaktive mund ta shihni në këtë link “Future Urban Climates”.

Fitzpatrick thotë se si rezultat i ndryshimeve klimatike, qytetet në hemisferën veriore do të kenë një klimë të ngjashme në pesëdhjetë deri në gjashtëdhjetë vjet me atë që kanë tani qytetet në jug.

Kështu për shembull, supozohet se nën ndikimin e ngrohjes globale, banorët e Oslos në Norvegji do të duhet të përshtaten me motin sepse temperaturat atje do të jenë të ngjashme me ato në Kroaci sot. Vjena do të ketë një klimë si Firence apo Genova, Londra do të jetë e nxehtë si Bordeaux dhe Miami si Abu Arish në Arabinë Saudite.

E dhënë e brendshme është se në krijimin e hartës interaktive “Future Urban Climates” merr pjesë edhe Teofil Nakov nga Maqedoia, i cili pas përfundimit të studimeve për biokimi në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup niset për në SHBA, ku doktoroi në biologji në Universitetin e Austin, Teksas.

Për simulimin e hartës interaktive u mblodhën të dhëna nga më shumë se 40,000 qytete dhe mbi 5,000 rajone.

Kujtojmë se këto ditë, në Maqedoninë e Veriut, temperaturat maksimale kanë arriur deri në 43 gradë celsius.