Pas një procedure të plotë hetimore e cila u zhvillua që nga fillimi i këtij viti, prokurori i çështjes nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit sot dorëzoi Aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale Shkup kundër pesë personave.
Sipas përshkrimit të pjesës së parë të dispozitivit të Aktakuzës, tre nga të akuzuarit si pjesëtarë të grupit ndërkombëtar të organizuar kriminal kanë kryer veprën penale Prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotropike dhe prekursorëve nga neni 215, paragrafi 3 i Kodit Penal. Ata, si pjesëtarë të grupit ndërkombëtar të organizuar kriminal, së bashku me persona të tjerë nga të cilët disa janë të dyshuar në çështje dhe janë të pakapshëm për autoritetet e ndjekjes, disa janë të ndjerë, dhe disa janë dënuar tashmë, kanë vepruar së bashku, secili në rolin e tij për blerje, transportim, mbajtje, shitje dhe ndërmjetësim të paautorizuar në blerje dhe shitje. Në disa raste gjatë vitit 2020, këta tre të akuzuar kanë qenë të përfshirë në blerjen e paautorizuar të 15.005 kilogramë drogë narkotike – kokainë, transportimin dhe lëshimin e saj në qarkullim në vend.
Grupi ndërkombëtar kriminal, anëtarët e të cilit janë të akuzuarit, ka vepruar në periudhën kohore nga 14.06.2019 deri më 09.03.2021, duke kryer në disa raste blerjen e paautorizuar të drogës narkotike – kokainë nga vendet e Amerikës së Jugut, duke organizuar dhe transportimin e saj përmes rrugës ujore drejt vendeve të Evropës. Transporti i paautorizuar i drogës narkotike – kokainë për shitje të paautorizuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Mbretëria e Belgjikës dhe nga Republika e Shqipërisë përmes Kosovës, ishte i organizuar nga një nga të dyshuarit në çështje – i pakapshëm për autoritetet e ndjekjes, që është organizator i grupit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Dy të akuzuarit e tjerë janë ngarkuar se kanë kryer veprat penale Shoqatë kriminale nga neni 394, paragrafi 3 dhe Vrasje nga neni 123, paragrafi 2, pika 5 e Kodit Penal. Në periudhën kohore nga dhjetori 2019 deri në mars 2021, organizatori i dyshuar i grupit të përmendur më parë, i cili është në arrati, së bashku me një tjetër person të pakapshëm për autoritetet e ndjekjes dhe dy të ndjerë, kanë krijuar një grup kriminal që kishte për qëllim kryerjen e veprës penale vrasje për hakmarrje dhe me porosi. Anëtarë të grupit përveç dy të ndjerëve janë bërë edhe dy të dyshuar në çështje – të pakapshëm për autoritetet e ndjekjes, si dhe dy të akuzuarit. Organizatorët e grupit kriminal kanë përgatitur plane dhe kanë marrë vendime se kush, kur, ku dhe në çfarë mënyre të privohet nga jeta. Vendimet janë zbatuar personalisht ose përmes anëtarëve të grupit kriminal të organizuar, të cilët i kanë pranuar dhe zbatuar, ndërsa marrëveshjet, urdhrat dhe udhëzimet janë transmetuar në kontakte të drejtpërdrejta ose përmes telefonave të enkriptuar ku ishte instaluar aplikacioni “SKY”. Kështu, organizatorët, bazuar në njohuri të mëparshme në të cilat ishin të bindur fort, se një person ishte pjesëmarrës dhe udhëheqës në përplasjen në Hotel “Aleksandar Palace” në Shkup, ku me përdorimin e armëve të zjarrit ishte qëlluar ndaj disa anëtarëve të grupit, kanë filluar të bëjnë plan për privimin nga jeta të personit. Pasi kanë vendosur ta vrasin, kanë angazhuar dy të akuzuarit dhe një tjetër person të ndjerë, duke u dhënë urdhër të ndjekin lëvizjen e tij. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme, më 5.3.2020, të akuzuarit dhe i ndjeri duke përdorur pajisje sinjalizuese – fenerë kanë ndaluar automjetin ku ndodhej personi që ishte qëllimi i tyre me tre persona të tjerë dhe me përdorimin e armëve automatike dhe pistoletës e kanë privuar nga jeta, duke vrarë gjithashtu një tjetër person që ishte ulur pas tij.
Me Aktakuzën, prokurori i çështjes ka paraqitur dhe një propozim të veçantë që të akuzuarve t’u zgjatet masa e paraburgimit për shkak të ekzistencës së mundësisë që të akuzuarit të arratisen ose të përsërisin veprën.
Urdhri për zhvillimin e procedurës hetimore u mor në janar kundër 15 personave. Për katër persona që janë të pakapshëm për autoritetet e ndjekjes, prokuroria përmes Ministrisë së Drejtësisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin për ndihmë ndërkombëtare në çështjet penale. Kështu, për dy persona janë dorëzuar dokumente për ekstradim në Emiratet e Bashkuara Arabe, për një person në Republikën e Kroacisë dhe për një person në autoritetet spanjolle. Procedurat e ekstradimit po zhvillohen në përputhje me ligjet procedurale të shteteve ku ndodhen personat e dyshuar dhe për ta procedura hetimore do të vazhdojë pas sigurimit të tyre, si dhe për të dyshuarit e tjerë.