Më 30 shtator Maqedonia do të votojë në referendum për emrin pas marrëveshjes me Greqinë. Presidenti Ilir Meta u ka drejtuar një thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e datës 30 shtator dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të çelur një kapitull të ri jo vetëm në dobi të integrimit të Maqedonisë, por edhe në të mirë të ardhmes.
Partitë parlamentare shqiptare në Maqedoni janë shprehur se do të mbështesin pozitivisht referendumin për emrin, pasi sipas tyre me këtë hapet rruga e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Ato do të jenë pjesë e fushatës duke i bërë thirrje elektoratit të tyre që të dalin për të votuar pro referendumit.
“Integrimi i rajonit në BE dhe në NATO është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij. Maqedonia ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm, të favorshëm dhe optimist, pas një periudhe të gjatë stanjacioni në marrëdhëniet me Greqinë, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.
Pa asnjë mëdyshje ne kemi mbështetur dhe nxitur dialogun e drejtpërdrejtë mes Athinës e Shkupit me bindje të plotë se kjo është rruga më e mirë për të çuar përpara dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur të procesit të tejzgjatur integrues të Maqedonisë”,- ka deklaruar Meta për “Albanian Daily News”.
Ai theksoi se marrëveshja e arritur me Greqinë për emrin hap një perspektivë të re, është një hap pozitiv i Maqedonisë drejt anëtarësimit të saj në NATO, integrimit në BE dhe ndikon drejtpërdrejt në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.
“Faktori politik shqiptar në Maqedoni ka një rol të pazëvendësueshëm si në procesin e ndryshimeve të brendshme e kohezionit politik e social ashtu edhe në procesin euroatlantik të Maqedonisë.
Ai ka sërish mundësinë të rikonfirmojë qëndrimin e palëkundur të tij pro anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE duke u angazhuar seriozisht dhe me të gjitha energjitë për suksesin e këtij referendumi”,- shprehet Meta.
Kreu i Shtetit thekson se suksesi i këtij referendumi është një fitore e forcave dhe frymës integruese, europianiste dhe euroatlantike kundrejt tendencave arkaike, anti-evropiane dhe anti-NATO jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë rajonin tonë.
“Ndaj besoj e njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e datës 30 shtator dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të çelur një kapitull të ri jo vetëm në dobi të integrimit të Maqedonisë, por edhe në të mirë të ardhmes së tyre në këtë vend”,- deklaron Presidenti Meta.