hovana Nikolli dyshohet se ishte shënjestra e atentatit me eksploziv mbrëmjen e të shtunës në Elbasan. Shpërthimi i eksplozivit në pallatin ku jetonte Nikolli, shkaktoi plagosjen rëndë të 26-vjeçarit Enea Themollari.
Nikolli, së bashku me motrën dhe mbesën e saj, ishte larguar nga Lezha dhe ishte vendosur në Elbasan, pas arrestimit të partnerit të saj, Amarildo Nikolli.
Xhovana Nikolli është një personazh i njohur në rrjetet sociale, teksa njihet dhe si partnerja e Amarildo Nikollit alias Xhanej, një vrasës me pagesë, i njohur me nofkën “Shkodrani” dhe ndodhet në qeli për atentatin e planifikuar ndaj Inez Hajrullës në gusht 2023.
E dashura e tij bëri bujë në median rozë, në momentin kur i shkoi Amarildo Nikollit me vello të bardhë dhe fustan nusërie në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
“Bashkë në të mirë e në të keq, derisa vdekja të na ndajë. Gëzuar 2-vjetorin jeta ime. Nuk na ndal asgjë në botë që të martohemi. Gjithmonë do jem me ty”, shkruante Xhovana Nikolli krahas videos në atë kohë të publikuar në rrjetet sociale.
Nuk dihen motivet se përse Nikolli ka qenë shënjestër e sulmit, ndërsa për ngjarjen nuk ka asnjë person të identifikuar që ka vendosur lëndën plasëse. Por, Xhovana Nikolli, pak ditë para shpërthimit me lëndë plasëse, ka shpërndarë një video live duke folur mbi të dashurën e të penduarit të SPAK, Nuredin Dumani.
Mes të tjerash, me tone kërcënuese Xhovana Nikolli i thotë: “O Nuredin Dumani të bëj thirrje ta mbash të dashurën tënde ti, se po ta kapa këtu nëpër Itali se ke idenë ça mund t’i bëj….”
Amarildo Nikolli dhe atentati i planifikuar ndaj Inez Hajrullës
Amarildo Nikolli po bashkëpunon me autoritetet dhe dyshohet se ka zbardhur ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër, ku ka përmendur emra të njohur të botës së krimit. Emri i Nikollit u bë i njohur për publikun në momentin që u kap me armë zjarri në Vlorë në gusht 2023, në zonën e Ujit të Ftohtë.
‘Shkodrani’ po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer vrasjen me pagesë të Inez Hajrullës. Atentati i i gushtit u parandalua nga policia me arrestimin e tij. SPAK thotë se Nikolli ishte personi që do të ekzekutonte planin me porosi të Leonard Luzit.