Numri i personave të vdekur pas tragjedisë të së premtes në periferi të Lozanës, kur janë rrëzuar skelet në objektin 19 katesh, ka shkuar në tre.
Sipas mediumeve zvicerane të paktën dhjetë persona janë lënduar
Katër prej punëtorëve janë të lënduar rëndë dhe gjithsejtë gjashtë persona janë dërguar me helikopter në Spitalin Universitar të Gjenevës. Të vdekurit dhe plagosurit janë punëtorë të kantierit.
Kërkimi për persona të tjerë që kanë mundur të mbesin nën rrënoja vazhdon, derisa kushtet atmosferike të parashikuara pritet ta vështirësojnë kërkimin. Mediumi 20minuten.ch shkruan se zona përreth ndërtesës është e mbyllur meqë mund të ketë një shembje tjetër të skelave
Dëshmitarët që kanë qenë afër zonës ku ka ndodhur tragjedia, thonë se kanë dëgjuar zhurmë shurdhuese e cila ka zgjatur të paktën dhjetë sekonda.
Të afërmit e punëtorëve që kanë qenë pjesë e kantierit të ndërtimit kanë frikë për të dashurit e tyre. 20minuten.ch shkruan se si disa të afërm janë të shqetësuar për të afërmit e tyre që kanë qenë duke punuar në kantier.
“Është e frikshme të imagjinosh që dikush nga familja është i shtrirë nën rrënoja”, ka thënë Sara për 20minuten.ch.