Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në Daily Click në TV21 tha se bisedimet me kompaninë “Bechtel&Enka” po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se pret që të vazhdojë realizimi i Korridorit 8. Kasami paralajmëroi se ministri aktual i Transporti, Aleksandar Nikollovski, dhe drejtori aktual i N.P. “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, do të japin informacione shtesë për këtë projekt, ndërkaq theksoi se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i N.P. “Rrugët Shtetërore” ndoshta do të duhet të japin përgjegjësi për veprimet në lidhje me këtë projekt.
“Edhe sa i përket Korridorit 8, ne garantojmë se gjitha bisedimet me Bechtel dhe Enka shkojnë në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve, që dinamika e realizimit të punëve në terren të jetë sipas marrëveshjes, sepse atë që e kemi thënë më herët, që kemi alarmuar opinionin, po e shohim tash dhe sigurisht që edhe drejtori edhe ministri do të dalin shpejtë me një raport edhe më të detajuar që aty BDI me në krye me Artan Grubin dhe drejtorin e ndërmarrjes kanë bërë vepra për të cilat ndoshta do të duhet të përgjigjen”, deklaroi Kasami në Daily Click.