Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalur me një komunikatë për media lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit.
Në një komunikatë, ata kanë bërë të ditur se Hajrizi ishte arratisur edhe në të kaluarën. Megjithatë, kanë theksuar se kohëve të fundit ai kishte pasur sjellje të mira.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak”, thuhet në komunikatë.
Sipas SHKK-së, ai gjatë qëndrimit në Dubravë e ka përfunduar edhe shkollimin.
“Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues”, thuhet më tutje.
Ata kanë bërë të ditur se Hajrizit ishte vet që kërkoi transferimin në burgun e Smrekonicës.
“I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në reagim.
“Sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme: Janë shfrytëzues të benificioneve; Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim; Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite”, bëhet e ditur nga SHKK.
Ata kanë bërë të ditur se Hajrizi ka pasur edhe 7 vjet e 6 muaj dënim për të mbajtur.
“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024”, thuhet në komunikatën për media.
“Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, specifikohet aty.
Dy zyrtarë janë pezulluar pasi nuk e kishin vërejtur me kohë largimin e të dënuarit.
“Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave. Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat”, përfundon reagimi.
Faton Hajrizi shfaqet LIVE në TikTok
Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e ushtarit rus, u arratis për herën e nëntë nga burgu ditën e shtunë. Ngjarja ndodhi nga burgu i Smrekonicës.
Përderisa për shtetin është i pakapshëm ende, Faton Hajrizi është shfaqur LIVE në rrjetin social TikTok.
Ai ka thënë se nuk është personi të cilin po tenton ta paraqesë Policia e Kosovës, raporton Nacionale.
Hajrizi është shfaqur me një maskë, pasi ka thënë se ka pësuar lëndime gjatë arratisjes.
“Përshëndetje për të gjithë, edhe për ata që më kanë përkrahë. Unë quhem Faton Hajrizi, duhet ta ceki që nuk jam tu e fsheh fytyrën, e kam pasur një lëndim në faqe derisa unë jam arratis nga Smrekonica, dhe derisa të shërohna dua ta lë plagën të shërohet. Unë nuk e fshehi fytyrën, një ditë unë do të shfaqna LIVE në TikTok dhe do të foli më gjerësisht. Arsyea pse e postoj këtë video janë përkrahësit e mi gjithandej, edhe ata që nuk këqyrin rrjetet sociale”, ka thënë Hajrizi.
“Unë jam Faton Hajrizi nga Skënderaj. Siç edhe e dini të bëmat e mia dhe vuajtjet e mia nga viti 2000, pa dashur të përsërsë historinë time, dua të fokusohem në ndodhinë e fundit. Dikush mund të thotë që ky person iu ka bërë hobi me ik nga burgu, nuk është e vërtetë. Edhe unë dëshiroj e dua të jem i lirë sikur qytetarët e shokët e mi, shqiptarët në përgjethsi. Halli është te shqiptarët, nuk e kam hallin unë a është Ukraina a Izraeli i lirë. Nuk jam Albin Kurti me u mërzit për Ukrainën, unë mërzitem për shqiptarët”, deklaroi ai.
Hajrizi ka pretenduar se nuk ka dashur të arratiset nga vikendi, pasi e ka dhënë fjalën për një gjë të tillë.
“Arsyeja pse unë kam qenë me datën 1 dhe jam kthyer me datën 3 në vikend, dhe nuk kam ikur nga vikendi, është pikërisht që kam dhënë fjalën që nga vikendi nuk iki, dhe nuk jam ikur nga vikendi. E kam mbajtur fjalën, sepse nuk iki nga vikendi, sepse më kollaj ka qenë ashtu, se me ik nga burgu aty, megjithëse ai nuk është burg, ai është largim. Kam pasur probleme gjatë arratisjes me tel dhe muri, dhe unë kam pas lëndime në fytyrë për atë arsye e fsheha fytyrën. I falënderoj përkrahësit e mi, edhe ata që bëjnë kritika iu përgjigjem në mënyrë pozitive: këqyrni mirë, kontrollone jetën time, ka njerëz që e dinë me detaje jetën tem”, tha Hajrizi në këtë video.
“Nuk jam ai që Policia e pasqyron, ose pushteti. Unë jam Faton Hajrizi që jam kanë 14-vjeçar në luftë, e kam marrë armën dhe jam shku në UÇK. Unë kam vepruar anej Urës së Ibrit në vitet që unë i di. Unë jam dalë aty. Unë kam vepruar aty në arrati 2006-2007, për të mirën e vendit. Unë jam ai i cili edhe Rojet e Ibrit i kam shti me ikë, unë jam qaj, e tham publikisht. Unë jam ai që i kam ndjek rojet e ibrit. Nuk dua të lëvdohem, por du me thanë që nuk jam armik i popullit, e dua shtetin qysh duhet, jo shtetin e sotit”, tha ai.
Hajrizi tha se është provokuar shumë shpesh nga udhëheqësit e burgut në Smrekonicë, andaj është arratisur.
“Unë burgun e kam kry para 1 viti e gjysmë, 2/3 i kam bërë para 1 viti e gjysmë. Zyrtarisht e ligjërisht u dasht me kanë në liri. Mundet me thanë dikush e ka keqpërdorur, nuk është e vërtetë. Hajde këqyre çfarë gjërash bahen në Smrekonicë, ka zajabncina, provokime, mu këto provokime më kanë shti me ik prej atij burgu me datën 5 apo 6 në sabah. Nuk është normale me i mbajt 23 vjet burg. 15 vjet jam ra në burg, 40 vjeçar jam sot. E me ardh mbikëqyrësi që ka qenë në pushtetin e Serbisë e me më thanë mu qu prej gjumit në ora 9, në 11 e në 18. Nuk është në rregull. Pse me ma prish gjumin ai”, tha ai.
“Jo me bo provokime. Nuk është në rregull. Qito më kanë shti me marrë vendim e me dalë përkohësisht në liri. Jam i sigurt që pjesën e mbetur edhe pse nuk pajtohem me këtë drejtësi, kthehna edhe e mbajë. Kur, e di unë. Kur e shoh që ka ligj, e ka rend, e pjekën të gjitha kushtet. Personalisht kam vërejtje në burgun e Sremkonicës. Aty kam nejt 1 muaj e gjys, asnjëherë nuk jam ngi ushqim aty, çfarë tipi hapur është aty. Avni Miftari ka ardhur nga burgu i Dubravës në Semkornicë, me ua vështirësu jetën. Vendos ligje, apo vet është ligji. Unë jam i 100 i cili kam ankesa, po ata tjerët nuk kanë bërë, unë kam vepruar. Nuk muj me toleru me bo provokime mbikëqyrësi, oficeri, drejtori, shefi i sigurimit, nuk rri me panik. Për hir që e kam vra ushtarin rus nuk është dashur me më pru në këtë gjendje. I falënderoj popullin”, deklaroi ai.