Berisha fton shqiptarët me 11 korrik në protestën “më të fuqishme që ka njohur vendi”: Qeveria vodhi 930 milionë euro në 9 muaj


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, ka ftuar qytetarët shqiptarë që të bashkohen në protestën e 11 korrikut ora 20:00, në protestën më të madhe e më të fuqishme që ka njohur historia e Shqipërisë.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të kauzës së drejtë të dinjitetit, të fitores së forcave opozitare.

Të dashur miq, në emër tuaj dua të ftoj sonte mbarë qytetarët e Shqipërisë, por edhe shqiptarët kudo që janë të bashkohemi me 11 korrik në protestën më të fuqishme që ka njohur historia e këtij vendi.

Të bashkohemi në mosbindjen civile, në protestën tonë kundër një regjimi.

Kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij, që po përvetëson, po vjedh ditën dhe natën, në çdo orë dhe në çdo kohë, fondet publike dhe pasuritë publike të shqiptarëve.

Po i shndërron ato në pasuri private.

Po i shndërron ato në vila, pallate, kulla, hotele në të katër anët e Shqipërisë.

Po i fsheh ato në llogaritë bankare offshore dhe shqiptarët po varfërohen dhe mjerohen çdo ditë në vendin e tyre.

Ftoj shqiptarët me 11 korrik të bashkohemi kundër këtij regjimi që ka shndërruar pasuritë përrallore të Shqipërisë në një mallkim për shqiptarët.

Kundër këtij regjimi që potencialin e jashtëzakonshëm turistik e ka shndërruar në një potencial për të ushqyer qeveritarët, klanet e drogës, klanet e krimit.

Ftoj shqiptarët të mos harrojnë dhe të protestojnë më 11 korrik sepse në Shqipëri si në asnjë vend tjetër të planetit, qytetarët paguajnë 130 milionë euro për djegësin e Tiranës.

Ato para zhduken dhe djegësi nuk ka as nam as nishan.

Ato para vidhen nga Edi Rama, Erion Veliaj, suita e tyre dhe këtë vjedhje shekulli e amniston Altin Zamani, ky mercenar në krye të grupit të strukturuar kriminal Skrapi i partisë.

Ftoj shqiptarët të bashkohemi dhe të mos qëndrojmë skllevër të vjedhjes qeveritare, e cila vetëm në fonde publike në 9 muaj arrin në 930 milionë euro sipas KLSH-së.

930 milionë euro është rroga e shqiptarëve e rritur me 130 përqind. Të ngrihemi, të mos qëndrojmë skllevër të këtij regjimi që në një anë nga paratë e taksave vjedh 930 milionë euro, nga ana tjetër 18 përqind e fëmijëve mbeten me një apo dy vakte në ditë ushqim.

Nga një anë vjedh 930 milionë euro, nga ana tjetër 47 përqind e fëmijëve mbeten në gjendje urie. Të përmbysim këtë regjim që nga një anë vjedh në 9 muaj 930 milionë euro, nga ana tjetër largon pasivisht shqiptarët si në asnjë vend tjetër të planetit nga Shqipëria. Si në asnjë vend që nuk është në luftë civile nga Shqipëria.

Largon në 8 vite 40 përqind të shqiptarëve sipas statistikave të BE, Britanisë së Madhe dhe SHBA. Miqtë e mi, o sot o kurrë shqiptarët duhet të bashkohen kundër këtij regjimi që ka vendosur modelin e vjedhjes 100 përqind të fondeve publike, cili është rasti i Erion Veliajt.

Nga ana tjetër, qindra e mijëra shqiptarë ndërrojnë jetë të pamjekuar nga sëmundjet e pamëshira, nga sëmundjet e egra, sepse ilaçet i merr korrupsioni, sepse ilaçet nuk sillen për 6 muaj dhe 1 vit, sepse aparaturat mbeten stoqe ose të papërdorura për vite e vite.