Dy të huaj tentojnë ta rrëmbejnë një fëmijë 3-vjeçar në Strumicë


Në Parkun e Madh të Qytetit në Strumicë ka pasur një tentativë për rrëmbim të një fëmije trevjeçar. Lajmi është përhapur dhe ndarë në rrjetet sociale, ndërsa policia sot për MIA ka konfirmuar se rasti është raportuar dhe po punojnë për zbardhjen e tij.

Sipas postimeve, dy persona, të cilët supozohet se flisnin një gjuhë të huaj, kanë tentuar të rrëmbejnë fëmijën trevjeçar, por njëri prej prindërve ka arritur t’i pengojë në qëllimin e tyre dhe ata kanë ikur.

Sipas policisë, Z.Ç.K. (31) nga Strumica dje ka raportuar se pardje rreth orës 19:00, ndërsa ishte në park në Strumicë së bashku me djalin e saj të mitur, në një moment kur djali ishte larguar prej saj, ose kur qëndronte në një urë druri, dy persona i ishin afruar të miturit dhe njëri prej tyre e kishte ngritur në krahë.

– Sipas raportimit, pasi raportuesja i kishte thirrur, personi e kishte lëshuar të miturin dhe i kishte vendosur kapelën në kokë, e cila i kishte rënë më parë, pas çka ata kishin ikur. SPB Strumicë menjëherë ka ndërmarrë masa për identifikimin e personave dhe zbardhjen e rastit. Është kryer inspektim në vendngjarje dhe është biseduar me dëshmitarët, ku është konstatuar se në momentin e ngjarjes kishte shumë lëvizje njerëzish dhe i mituri qëndronte në një urë të vogël druri ku ekzistonte rreziku të binte në ujë, dhe personi që e kishte ngritur fëmijën nga ura e kishte lëshuar në tokë menjëherë pasi ishin zbritur nga ura, qëndron në njoftimin për MIA nga SPB Strumicë.

Ata shtojnë se policia vazhdon me marrjen e masave në drejtim të përcaktimit nëse në këtë rast konkret ekzistojnë elemente të veprës penale apo personi e ka bërë këtë me qëllim që të mbrojë fëmijën nga një rrezik i mundshëm.