Biden për debatin: Nuk i dëgjova këshilltarët e mi, për pak sa nuk fjeta në skenë


Presidenti amerikan Joe Biden e fajësoi “jet-lagun” për performancën e tij të dobët në debatin e javës së kaluar në CNN. Ai u tha gazetarëve se “nuk ishte shumë i zgjuar” sepse “kishte udhëtuar disa herë nëpër botë” përpara debatit.

Performanca e Biden në debat u vlerësua si katastrofike. Gjatë duelit, ai dha një sërë përgjigjesh jo koherente dhe konfuzuese për pyetjet. Ai ndalonte dhe nuk i përfundonte fjalitë. “Nuk dëgjova stafin tim… dhe pastaj për pak sa nuk fjeta në skenë,” pranoi ai.

Biden, 81 vjeç, u kthye nga udhëtimi i tij i fundit më 15 qershor, që është pothuajse dy javë përpara debatit më 27 qershor, shkruan BBC. Deklaratat e Biden vijnë në një kohë kur brenda Partisë Demokratike është shfaqur shqetësim për aftësitë e tij mendore.

Kongresmeni nga Teksasi, Lloyd Doggett, u bë ligjvënësi i parë demokrat aktual që kërkoi që Biden të tërhiqet nga gara për një mandat të dytë presidencial. “Shpresoj që ai të marrë vendimin e dhimbshëm dhe të vështirë për të dalë në pension,” tha Doggett dje.

“Kjo nuk është një justifikim, është një shpjegim,” tha Biden gjatë vizitës së tij në Virxhinia dje, duke iu referuar udhëtimeve të tij. Ai kërkoi falje për performancën dhe theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme për të të fitojë zgjedhjet. Biden udhëtoi në Evropë dy herë gjatë dy javëve të qershorit.

Shtëpia e Bardhë më parë njoftoi se Biden kishte luftuar me një të ftohtë në ditën e debatit. Megjithatë, presidenti nuk përmendi asnjë sëmundje në fjalimin e tij të djeshëm. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Biden nuk kishte marrë asnjë ilaç para debatit.

Biden kaloi gjashtë ditë në Camp David, resortin presidencial jashtë Uashingtonit, duke u përgatitur për debatin e tij kundër Trump. “New York Times,” duke cituar një burim të paidentifikuar të njohur me orarin e Biden, raportoi se ditët e tij fillojnë në orën 11:00 dhe se ai ka kohë për “gjumë” çdo ditë.

Gazeta gjithashtu raportoi se Biden ishte aq i lodhur nga udhëtimi sa që përgatitjet e tij për debat u shkurtuan me dy ditë për t’i dhënë kohë për të pushuar. Andrew Bates, zëdhënësi i presidentit, i mohoi raportimet mediatike, duke thënë se Biden fillonte punën “shumë përpara” orës 11:00, menjëherë pasi mbaronte ushtrimet e mëngjesit.

Mosha e Biden është bërë një nga çështjet kryesore të këtyre zgjedhjeve, ku votuesit në disa sondazhe thonë se mendojnë se presidenti është shumë i moshuar për të qenë efektiv. Biden premtoi se do të qëndrojë në garë, pavarësisht presionit të shtuar për të hequr dorë. Ai pritet të japë një intervistë për ABC News të premten në prime time, që është intervista e tij e parë pas debatit.

Biden është 81 vjeç dhe rivali i tij Donald Trump është 78 vjeç.