Sulm i armatosur në Bruksel: Ka të vdekur dhe të plagosur


Dy persona janë qëlluar për vdekje dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë në një lagje pranë stacionit jugor të trenit në Bruksel, njoftoi zëdhënësi i policisë.

Të shtënat ndodhën pranë një kafeneje në lagjen Saint-Gilles të Brukselit. Personi ose personat e dyshuar për sulmin janë në arrati.

Në sulm u plagosën tre persona, nga të cilët dy janë në gjendje të rëndë, ndërsa gjendja e personit të tretë është stabilizuar, tha zëdhënësi i policisë.

Këtë vit, autoritetet e kanë identifikuar këtë distrikt si një nga pikat e nxehta për trafikimin e drogës në Bruksel. Megjithatë, policia deri tani nuk e lidh incidentin me drogën.

Agjencia France Presse raporton se vitet e fundit, Belgjika ka parë një rritje të dhunës së armatosur të lidhur me rivalitetin midis trafikantëve të drogës. Përleshjet e armatosura në rrugë po zhvillohen në Bruksel dhe Antwerp, ku porti është bërë një pikë kryesore për futjen e kokainës së paligjshme nga Amerika e Jugut në Evropë.