Nikolloski zbuloi se hekurudha drejt Bullgarisë është parashikuar të jetë më e shtrenjta në botë dhe të përfundojë në një tunel pa dalje nga ana tjetër


Dëshiroj të hap sot pyetjen më të madhe dhe më thelbësore, që është ndërtimi i fazës së tretë të Korridorit hekurudhor 8. Sipas marrëveshjes bilaterale midis BE-së dhe Republikës së Maqedonisë, vlera e vlerësuar është 340 milionë euro, por vetë audituesi shtetëror ka konstatuar se deri në ditën e auditimit, vlera është rritur dhe vlerësohet në 560 milionë euro, që paraqet një rritje prej 220 milionë eurosh, theksoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në konferencën e sotme për shtyp me temë: Raporti i auditimit për realizimin e investimeve kapitale.

Ai theksoi se diferenca midis vlerës së vlerësuar të përcaktuar në marrëveshjen midis BE-së dhe Republikës së Maqedonisë dhe asaj që aktualisht është përcaktuar si vlerë e vlerësuar është 220 milionë euro. Ministri theksoi se bëhet fjalë për ndërtimin e 23.4 kilometrave hekurudhë, që sipas llogaritjeve, 1 kilometër hekurudhë kushton 24 milionë euro.

“Më e rëndësishmja për të cilën publiku deri më sot nuk është njohur, është se bëhet fjalë për një linjë hekurudhore që duhet të shkojë nga para Kriva Pallankës deri në kufirin me Bullgarinë. Një linjë hekurudhore që kalon në mes të qytetit, kalon në mes të Kriva Pallankës, duhet të prishen dhjetëra e ndoshta edhe qindra shtëpi, të zhvendoset popullata dhe më e rëndësishmja, përfundon në një tunel që nuk ka fund. Do të pyesni pse? Sepse sipas projektit dhe natyrisht sipas ligjeve, ju mund të ndërtoni vetëm në territorin tuaj. Është parashikuar që lidhja me Bullgarinë të bëhet përmes tunelit, por ai tunel mund të ndërtohet vetëm deri në kufirin me Bullgarinë dhe të njëjtin duhet ta marrë dhe ta ndërtojë Bullgaria nga ana tjetër në kushte kur Bullgaria nuk ka bërë as projekt për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë,” theksoi ministri Nikolloski.

Ai shtoi se koha e shpenzimeve të papërgjegjshme të parave të popullit ka mbaruar dhe se nuk do të tolerojë shfaqje të krimit dhe korrupsionit.