Kapiteni i Real Madridit zgjedh paratë, pas 23 vitesh si merengues. Transferohet në Arabi


Nënshkrimi i tij me Al Qadsiah është tashmë fakt: dy sezone dhe 20 milionë euro ‘të pastra’. Skuadra sapo është ngjitur në Kategorinë e Parë, ai do të stërvitet nga Míchel. Pra, është zyrtare: Nacho i thotë lamtumirë Real Madridit dhe shkon në Arabi. Një transfertë e mbyllur që prej së shtunës, kur i dha dritën jeshile operacionit.

Ai tashmë kishte kaluar kontrollet mjekësore, ndërsa dje nënshkroi kontratën. Nacho do të luajë dy sezonet e ardhshme (deri në moshën 36 vjeç) për Al Qadsiah. Një projekt i vogël, por brenda ‘shkallës saudite’. Ky klub mund të përballojë t’i japë një lojtari 10 milionë euro ‘të pastra’ në vit. Kësisoji, kapiteni në largim nuk do të jetë ‘One Club Man’ i pestë i Real Madridit, ka vendosur të niset për në Arabi.

Skuadra e tij e re ka një veçori: nuk është as nga Riadi (kryeqyteti ku jeton Cristiano Ronaldo dhe ka mbërritur Neymar), as nga Jeddah (shtëpia e Benzema apo Gabri Veiga, për shembull). Në këto dy qytete, të vendosura në qendër dhe në bregun perëndimor, janë përqendruar ‘muskujt sportivë’ dhe financiarë të një vendi gjigant.

Është anormale të jetosh jashtë kryeqytetit saudit, por Nacho do ta bëjë këtë. Ekipi i tij është nga Al Khobar, një rajon bregdetar në lindje. E veçanta tjetër? Ky vend është gjysmë ore me makinë nga Bahreini dhe 100 kilometra nga Katari. Një zonë në rritje, por shumë më e varfër se kryeqyteti, sot për sot.

Ja njoftimi i klubit madrilen për largimin e kapitenit: “Real Madrid C.F. njofton se kapiteni ynë Nacho ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si lojtar i Real Madridit. Real Madridi dëshiron t’i shprehë mirënjohjen dhe dashurinë e tij Nachos, një prej legjendave të mëdha të klubit tonë.

Nacho erdhi te Real Madridi në vitin 2001, kur ishte vetëm 10 vjeç, dhe ka luajtur në të gjitha kategoritë e ekipit tonë të të rinjve, derisa u bë lojtar i ekipit të parë në vitin 2012. Që atëherë, ai ka mbrojtur fanellën tonë për 12 sezone në një prej etapave më të suksesshme në historinë e Real Madridit.

Gjatë gjithë kësaj kohe ka luajtur 364 ndeshje dhe ka fituar 26 tituj: 6 Champions League, 5 Kupa të Botës për Klube, 4 Superkupa Evropiane, 4 La Liga, 2 Kupa Mbreti dhe 5 Superkupa të Spanjës. Që kur erdhi në akademinë tonë si fëmijë, Nacho ka qenë gjithmonë një shembull përmirësimi për të gjithë dhe ka marrë dashurinë, njohjen e admirimin e të gjithë tifozëve të Real Madridit. Real Madridi është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”.