U kap me kokainë me qëllim shitjen dhe dy mijë euro ‘cash’, arrestohet reperi shqiptar në Milano


Arrestohet në Milano të Italisë, reperi shqiptar Daxter. 25-vjeçari Daxter, i cili quhet Eraldo Çekrezi është arrestuar pasditen e së enjtes, pasi në automjetin e tij iu gjetën 19 doza kokaine dhe dy mijë euro para cash.

Ndaj reperit shqiptar rëndon akuza e veprës penale posedimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Bëhet me dije nga mediat italiane se arrestimi i Daxter ka ardhur pasi është pikasur nga policia duke lëvizur me automjetin Citroen C3.

Pasi ka ndaluar në rrugë, pranë reperit është afruar një australian duke blerë një dozë kokainë. Kështu policia i është vënë pas shqiptarit duke e ndaluar dhe duke ushtruar kontroll në automjetin e tij.

Daxter është lindur në qytetin e Durrësit por ka emigruar në Itali së bashku me familjen. 25-vjeçari është i njohur në shtetin fqinj për muzikën e tij, si dhe pak muaj më parë reperi ka bashkëpunuar me këngëtarin shqiptar Stresi.