Koreja e Veriut po ndërton seksione që duket të jetë mur në disa pjesë afër kufirit me Korenë e Jugut, kanë treguar imazhet satelitore.
Imazhet kanë treguar se toka brenda Zonës së Çmilitarizuar (DMZ) është pastruar, për të cilën ekspertët kanë thënë se do të ishte shkelje e armëpushimit të gjatë me Korenë e Jugut.
DMZ-ja është 4 kilometra zonë mes Veriut dhe Jugut, që teknikisht janë ende në luftë pasi nuk kanë nënshkruar kurrë traktat paqeje. DMZ-ja është e ndarë në dy pjesë me secilën anë që kontrollon pjesën e vet.
Ky aktivitet është “i pazakontë” sipas ekspertëve, dhe vjen në një kohë të ngritjeve të tensioneve mes të dyja shteteve, raportoi BBC.
Në këtë pikë mund vetëm të spekulojmë se Koreja e Veriut po shikon ta forcojë prezencën e vet ushtarake dhe fortifikatat përreth kufirit”, ka thënë Shreyas Reddy, korrespodent në “NK News” me bazë në Seul.
Imazhet satelitore tregojnë të paktën tri seksione ku barrierat janë hequr afër DMZ-së, duke mbuluar rreth 1 kilometër afër kufirit lindor.
Një zyrtar nga Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut pati thënë se ushtria kishte identifikuar aktivitete të vazhdueshme të lidhura me “përforcimin e rrugëve taktike, vendosjen e minave dhe pastrimin e tokave”.
Lufta koreane përfundoi më 1953 me një armëpushim ku të dyja palët o zotuan “të mos ndërmarrin asnjë akt armiqësor brenda, nga, ose ndaj zonës së çmilitarizuar”. Por, nuk pati marrëveshje finale paqeje.
Teksa ribashkimi është parë i pamundur për vite, ky ka qenë synimi i liderëve të Koresë së Veriut deri në fillim të vitit 2024, kur Kim Jong Un lajmëroi se vendi i tij nuk do ta ndiqte më atë ambicie.