Numri i të vdekurve në haxhillëkun e këtij viti ka shkuar në mbi një mijë. Më shumë se gjysma ishin pelegrinë të paregjistruar, që e kishin kryer haxhillëkun në vapë të madhe në Arabi Saudite.
Në shifrën e re të të vdekurve, për të cilën u raportua të enjten, u përfshinë 58 nga Egjipti, sipas një diplomati arab që paraqiti të dhëna, sipas të cilave nga 658 egjiptianët që kanë vdekur, 630 ishin pelegrinë të paregjistruar, raporton gazeta “The Guardian”.
Rreth dhjetë shtete kanë raportuar për 1 mijë e 81 vdekje gjatë pelegrinazhit, njëra nga pesë shtyllat e Islamit që të gjithë myslimanët me kushte të mjaftueshme ekonomike duhet ta kryejnë të paktën një herë në jetë.
Edhe këtë vit, haxhillëku, koha e të cilit përcaktohet sipas kalendarit hënor islam, ra në periudhë të nxehtë të vapës përvëluese në Arabi Saudite.
Qendra meteorologjike kombëtare raportoi temperaturë maksimale prej 51,8 gradësh këtë javë në Xhaminë e Madhe në Mekë.
Sipas një studimi saudit, publikuar muajin e kaluar, temperaturat në atë zonë po rriten për 0,4 gradë për çdo dekadë.