BBC-ja ka publikuar një analizë në të cilën, duke iu referuar dëshmitarëve, pretendon se roja bregdetare greke është përgjegjëse për vdekjen e të paktën 43 emigrantëve në Detin Mesdhe gjatë një periudhe prej tre vitesh, duke përfshirë nëntë të cilët janë hedhur qëllimisht në ujë. Siç thuhet, bëhet fjalë për emigrantë që janë dëbuar nga ujërat greke ose janë kthyer në det pasi kanë arritur në ishujt grekë. BBC-ja thekson se në 15 incidente të ndara nga maji 2020 deri në maj 2023, të cilat i ka analizuar, kanë humbur jetën 43 emigrantë.
Roja bregdetare greke, megjithatë, i mohoi të gjitha akuzat për aktivitete të paligjshme. Pjesa më e madhe e burimeve për analizën e BBC-së janë media lokale, organizata joqeveritare dhe roja bregdetare turke, por edhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë.
Në pesë raste, emigrantët kanë thënë se janë hedhur në ujë nga pjesëtarë të rojës bregdetare greke, ndërsa në raste të tjera kanë thënë se janë kapur në ishujt grekë dhe janë kthyer në varka gome, të cilat më pas janë zbrazur ose dukeshin sikur ishin shpërthyer.
Shumë emigrantë dëshmojnë për raste ku pjesëtarët e rojës bregdetare, të maskuar dhe shpesh në rroba civile, i kanë rrahur dhe kanë hedhur shokët e tyre në ujë.
Një njeri nga Somalia i ka thënë BBC-së se si në mars 2021 është kapur nga ushtria greke pas mbërritjes në ishullin Hios, e cila më pas e ka dorëzuar tek roja bregdetare greke. Roja bregdetare, thotë ai, ia ka lidhur duart pas shpine dhe pastaj e ka hedhur në det.
“Ata donin të vdisja” – ka thënë ai dhe ka shtuar se arriti të mbijetojë duke notuar në shpinë, para se t’i lirohej njëra dorë. Në fund arriti të notojë deri në tokë, ku u vërejt nga roja bregdetare turke. Por, deti ishte i trazuar dhe tre nga grupi i tij vdiqën.
Në incidentin më vdekjeprurës, në shtator 2022, një anije me 85 emigrantë hasi në vështirësi pranë ishullit grek Rodos kur iu prish motori. Roja bregdetare greke i hipi në anije, i ktheu në ujërat turke dhe i vendosi në varka shpëtimi që nuk kishin ventil të mbyllur si duhet.
“Menjëherë filluam të fundosemi, e pamë atë… Na dëgjuan duke bërtitur, dhe megjithatë na lanë aty” ka deklaruar ai për BBC-në. “Fëmija i parë që vdiq ishte djali i kushërirës sime… Pastaj një nga një. Edhe një fëmijë, edhe një fëmijë dhe në fund edhe kushëriri u zhduk. Deri në mëngjes vdiqën shtatë, tetë fëmijë” ka rrëfyer për BBC-në.
Ligji grek u lejon të gjithë emigrantëve të kërkojnë azil në disa ishuj në qendrat speciale të regjistrimit, por sipas njerëzve me të cilët ka biseduar BBC-ja, ata janë arrestuar edhe para se të arrinin në qendrat e regjistrimit.
Organizatat që merren me të drejtat e njeriut theksojnë se pavarësisht ligjit ndërkombëtar dhe ligjit të Bashkimit Evropian që lejojnë të drejtën për të kërkuar azil, mijëra njerëz janë kthyer ilegalisht nga Greqia në Turqi, shkruan BBC-ja.