Në gjuhën tonë të bukur: shqip
BAJRAMI I VOGËL DHE NJË PYETJE
1.
Pavarësisht nga besimi fetar, sot për Bajramin e Vogël shqiptarët gëzohen së bashku. Siç ndodh edhe me të kremtet e krishtera, me Kërshëndellat, për shembull. Por cili është emri i saktë shqip i kësaj dite të shenjtë?
Në kalendarin e vitit 2016, në faqen e internetit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, thuhet: “12. 09. 2016 – Dita e Parë e Kurban Bajramit”. Ndërsa për Bajramin e Madh: “0. 07. 2016 – Dita e Parë e Fitër Bajramit”.
Të njëjtat caqe (terma) përdoren edhe në faqen e Bashkësisë Islame të Kosovës: Kurban Bajrami, Fiter Bajrami. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, njësoj. Edhe në urimet e politikanëve e në shkrimet e medias: Kurban Bajrami. Turqisht.
2.
Emri shqip i kësaj dite të shenjtë është Bajrami i Vogël, jo Kurban Bajrami.
Kështu i kanë thënë shqiptarët qyshkur. Kështu është shkruar në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe (Tahir N. Dizdari, Tiranë, 2005). Në shtjellimin e fjalës bajram, aty thuhet: “…dy të kremtet kryesore që lusin e festojnë myslimanët. Bajrami i Madh… Bajrami i Vogël… (turqisht kurbán bayram)”.
Në një nga Këngët e Kreshnikëve, mbledhur në Kosovë (e përmend edhe Dizdari), thuhet: “Tre dorzanë unë po t’i baj…/ E të tretin: Bajramin e Vogel”.
Del se emri shqip Bajrami i Vogël është i hershëm. I përhapur gjithandej.
3.
E njëjta gjë me Bajramin e Madh. Po quhet Fiter Bajrami!
Rrallë shqiptar e di çka do me thanë fitër.
Në Fjalorin e Dizdarit, të përmendur më sipër, nuk gjindet kund Fiter Bajrami. Është vetëm Bajrami i Madh. Madje as fjala fiter si zë të veçantë nuk është aty. Kjo do të thotë se kjo fjalë s’ka qenë. Ajo thirret sot me zëvendësue fjalën shqipe.
Për ç’arsye Bajrami i Madh i shqiptarëve u dashka shndërruar në Fitër Bajram të tjetërkujt?
4.
Dita në prag të Bajramit në traditën shqiptare është quajtur Nata e Bajramit. Siç thuhet Nata e Shën Kollit, Nata e Vitit të Ri.
Përsëri në Kalendarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë shkruhet: “11. 09. 2016 – Dita e Arafatit”. Çfarë kupton besimtari shqiptar me Ditën e Arafatit?
Teologët ose njerëzit e interesuar për njohuri të thelluara në fushën e fesë, mbase e marrin vesh. Por besimtarët nuk janë teologë. Janë besimtarë që flasin e kuptojnë shqip. Ç’arsye ka tashti me u folë ndryshe nga ç’u është folur prore?
5.
Nuk dihet pse zyrtarët dhe media kallëzohen aq të zellshëm me zëvendësue shkallë-shkallë edhe skajet (termat) fetare shqip me të tjera jo shqip. Le të jenë greqisht, arabisht, turqisht, vetëm shqip jo!
Sheh rrushi rrushin e piqet, apo sheh rrushi rrushin e prishet?
Prej padijes?
I paditur nuk është ai që nuk di. I paditur është ai që s’pyet, ai që s’ka vullnet me mësue. Le që për këto s’lypet dije e madhe. Thjesht ndiq traditën. Emrat shqip të ditëve të shenjta myslimane janë përdorur qysh herët, falë shqipërimit ose përshtatjes prej hoxhëve atdhetarë.
Duke festuar Bajramin, duhet t’i falënderojmë edhe ata. Dhe t’ua naltësojmë veprën në gjuhën shqipe.
6.
Çështja është më e gjerë dhe jo vetëm për terminologjinë myslimane.
Domethënia e terminologjisë fetare, për kah rëndësia, i kapërcen kufijtë gjuhësorë. Një argument i fortë se shqiptarët si popull jetojnë në të njëjtat troje të paktën qysh nga lindja e krishtërimit, është terminologjia kishtare. Në gjuhën shqipe kjo terminologji është me burim latin, jo grek ose prej ndonjë gjuhe tjetër. Dëshmi se shqiptarët e kanë marrë krishtërimin drejtpërdrejt prej Romës. Domethënë kanë qenë edhe asokohe siç janë sot: fqinj të drejtpërdrejtë të Romës.
Gëzuar Bajramin e Vogël. Të gjithëve. Zoti na kupton më mirë kur i flasim në gjuhën tonë të nënës, shqip. Dhe na do më shumë.
Mehmet ELEZI