Vullnet Ahmeti: “ Sot, nesër dhe çdo ditë të vitit qofshim solidarë dhe sakrifikues për tjetrin”


Vullnet Ameti:

Me këtë fragment nga piktura murale dhe artit të rafinuar shekullor i Xhamisë së Larme, monumentit historik dhe kulturor të qytetit tonë, ju uroj festën e Bajramit të Kurbanit!

Në këtë festë e ndërmend shembullin e Hafiz Ali Korçës, i cili ka zënë vend të merituar në Lëvizjen Kombëtare dhe në historinë e arsimit e kulturës shqiptare.

Thëniet e tij, që janë si perla në oqeanin e hipokrizisë, duhet ta gërvishtin ndërgjegjen e njerëzve, të cilët, në emër të religjionit dhe të kombit, i kanë kryer veprat më antifetare dhe më antikombëtare.

Ata assesi nuk parapëlqejnë të bëhen kurban kauze, sepse të bërit kurban në procese jetike vjen me një ‘zero-sum game’ në rrafshin personal.

Në shumë krijime të tij shprehet pezmi i thellë ndaj atyre që nuk posedojnë vetëdije kombëtare dhe pastërti morale.

Edhe sot, në moçalin e paditurisë dhe të hipokrizisë, akoma e kemi të freskët mes nesh thënien e tij: “rihni botën ta gënjeni, filozofi t’iu rrëfeni!”

Vepra e tij tepër komplekse për t’u portretizuar, por shumë e vlefshme për ta kuptuar, tregon se njerëz si Hafiz Ali Korça i vijnë kombit tonë shumë rrallë!

Mbizotëroftë fryma e solidaritetit dhe dashuria ndaj kombit, dijes dhe familjes!

Gëzuar festa e sakrificës, sepse sakrifica gjithmonë e ka për qëllim tjetrin dhe jo veten, ashtu siç na transmetohet edhe me shembullin e kurbanit!

Sot, nesër dhe çdo ditë të vitit qofshim solidarë dhe sakrifikues për tjetrin, sepse popujt e fortë janë lartësuar ndër breza vetëm nëpërmjet solidaritetit, atdhedashurisë dhe sakrificave!

Prof. Dr. Vullnet Ameti