Dënohet me kusht shtatë persona për sulmin në M-NAV


Gjykata Themelore Penale Shkup sot shpalli vendime bazuar në marrëveshje paraprake me shtatë persona të akuzuar si bashkëkryerës të veprës penale – Pengim i një zyrtari në kryerjen e veprimeve zyrtare sipas nenit 382, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Gjashtë nga të akuzuarit u dënuan me masë alternative – dënim me kusht, përkatësisht burgim për gjashtë muaj, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti e gjysmë pas hyrjes në fuqi të vendimit nuk kryejnë vepër të re penale.

Për një të akuzuar, i cili kreu veprime më të rënda për të penguar zyrtarin dhe më parë ishte dënuar për vepër kundër sigurisë publike, u vendos masa alternative – dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, përkatësisht burgim për dy vjet, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda pesë vjetëve pas hyrjes në fuqi të vendimit nuk kryen vepër të re penale, dhe njëkohësisht Gjykata i caktoi të akuzuarit edhe detyrime të tjera që do të jenë objekt i mbikëqyrjes mbrojtëse.