U sulmua brutalisht, del nga koma pas 15 ditësh avokati i Berishës


Avokati i Sali Berishës, Sokol Mëngjesi ka dalë nga koma pas 15 ditësh, pasi u sulmua fizikisht më 29 maj në rrugën “Pjetër Bogdani”.

Familjarët njoftojnë se mjekët e nxorën avokatin nga koma këtë të enjte. Ai ndodhet në një nga spitalet e Athinës, ku u dërgua me avion sanitar disa ditë pas ngjarjes, me kërkesë të familjarëve, që kërkuan trajtim të specializuar për të.

Avokati u godit me dorezë metalike nga tre persona.

Nga 4 autorët e dyshuar të sulmit, ku 3 goditën avokatin dhe njëri i transportoi, në pranga ka rënë vetëm një.

Dorian Aliaj, pasi u vetëdorëzua dëshmoi para grupit hetimor.

Sipas tij, ai dhe Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku nuk e kishin planifikuar sulmin ndaj avokatit.

Nga ana tjetër i ndaluari me iniciativë të policisë, Dritan Nano, i cili dyshohet si organizator i sulmit ndaj avokatit, ka mbajtur qëndrim mohues duke e përjashtuar veten nga kjo ngjarje.