Kosova i vendos sanksione Republikës Islamike të Iranit


Qeveria e Kosovës të enjten ka miratuar pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe pakon e re të sanksioneve kundër Federatës Ruse.

Në mbledhjen e qeverisë, zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, ka thënë se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e aleatët e tjerë.

“Pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit, gjegjësisht ndaj personave dhe subjekteve të përfshira në aktivitetet e raketave bërthamore dhe balistike dhe personave dhe etniteteve që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, ka thënë Gashi.

Ndërsa sanksionet ndaj Rusisë janë të lidhura edhe me vdekjen e opozitarit rus Alexei Navalnyn.

“Në vazhdim të mbështetjes dhe në përputhje me sanksione e BE-së, propozojmë zbatimin e pakos së 12 dhe 13 të sanksioneve të BE-së për minimin dhe cenimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe shkeljen e të drejtave në Federatën Ruse, që lidhen ngushtë me vrasjen e opozitarit rus, Navalny”, ka thënë Gashi.