I ftuar në emisionin “Klan Debat” në Klan M, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në përgjigjen e tij ndaj statusit të Arben Taravarit në facebook, ai tha se Fronti Europian nuk ka gënjyer në asnjë moment sepse ka fituar një numër të konsiderueshëm votash më shumë se kundërshtarët dhe është koalicioni që e ka legjitimitetin e popullit.
Ai ka bërë thirrje për unifikim të qëndrimeve politike dhe për një tryezë bisedimesh, në vend të garave për afrimitet me figura të caktuara politike. Sela ka përfunduar me një thirrje për integritet dhe transparencë në procesin demokratik, duke theksuar rëndësinë e marrjes së mandatit nga qytetarët.
“E para punës unë duhet të komentoj njeriun i cili sa është i vërtet unë e njoh më mirë se i gjithë opinioni, dhe kur flet gënjeshtra për gënjeshtrën është shumë problem sepse unë në këtë dimension e njoh si një gënjeshtar.
Ne kemi 30 mij vota më shumë se ata, ne nuk kemi gënjyer ne i fituam zgjedhjet si front. Pastaj thotë që janë pjesë e qeverisë, unë me sa e di qeveria nuk është bërë akoma, ministër akoma nuk është bërë zoti Taravari dhe unë nuk e di se çdo të bëhet me negociatat,
Ai doli dhe tha se po të ketë një votë më pak do të tërhiqet, dhe jo vetëm që humbi me një votë por humbi në zgjedhjet presidenciale, ato parlamentare, humbi në vendin e tij dhe sësrish nuk e pamë që të tërhiqet. Këto lloj statusesh në facebook nuk janë për t’u komentuar sepse i shërbejnë asaj garës që unë e quaj gabim, faktorit politik shqiptarë i duhet unifikim qëndrimi, tryezë bisedimesh, dhe jo për të bërë garë se kush është më i afërt me Mickoskin, apo me ndonjë mandatarë tjetër. Ky lloj mesazhi që është dhënë ne jemi pjesë e qeverisë, tregon se ky ka jarani me këto të cilët kanë marrë mandatin dhe në emër të kësaj jaranie flet me siguri, ndërkohë që i mungon ajo më e rëndësishmja të marrësh mandat në demokraci, ku fatin e tiju ia delegon qytetari”, tha Sela.