Opozita maqedonase taktizon lidhur me referendumin e 30 shtatorit, duke mos bërë ende të ditur qëndrimin nëse do të ftojë anëtarësinë për bojkot apo për të dalë në referendum dhe të votojë kundër marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan MIckovski, disa herë ka bërë të ditur se qëndrimi do të merret në kohën e duhur, por pa saktësuar se kur mund të jetë ajo kohë, edhe pse deri në fillimin e fushatës kanë ngelur rreth dy javë. Kjo parti, ndërkohë ka refuzuar mjetet që janë ndarë nga ana e Qeverisë për zhvillimin e fushatës që organizohet nga Kuvendi, si organ që ka shpallur mbajtjen e referendumit.
Por, disa zyrtarë të OBRM-PDUKM-së, tashmë kanë bërë të ditur, se do të ftojnë për bojkot të referendumit. Deputeti dhe ish-ministri i Jashtëm nga OBRM-PDUKM-ja, Antonio Milloshoski, ka thënë se qëndrimi i tij personal do të jetë për injorimin e referendumit dhe se këtë të drejtë ia garanton Kushtetuta.
“Neni 7 për referendumin është shumë i qartë. Aty thuhet se qytetari ka të drejtë të votojë dhe të mos votojë në referendum. Edhe konventat ndërkombëtare, siç është edhe Komisioni i Venedikut, qartë kanë saktësuar se bojkoti është mjet legjitim për të mos pranuar një referendum, apo shprehje tjetër në zgjedhje të lira”, ka deklaruar Milloshoski.
Lidhja Socialdemokrate në pushtet, ka ftuar opozitën që të shpalosë qëndrimin dhe të mos taktizojë me një çështje kaq të ndjeshme, nga e cila, siç thotë, varet e ardhmja e shtetit dhe e qytetarëve të tij.
“Kemi shansin historik që në referendumin e ardhshëm të dalin dhe së bashku të votojmë për të ardhmen tonë. Marrëveshja maqedono-greke hap perspektivat evropiane, siguron anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian me identitet të garantuar maqedon. Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në mënyrë të theksuar do të rriten fondet e BE-së për investime në infrastrukturën tonë. Kjo nënkupton më shumë para për rrugë, shkolla, çerdhe, spitale”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Partitë shqiptare pa përjashtim mbështetin referendumin, por opozita shqiptare ka vendosur disa kushte në fazën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që vjen pas referendumit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që ndryshimet të përfshijnë edhe rregullimin e gjuhës shqipe, e cila aktualisht është e definuar si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind të popullatës në Maqedoni. Veç kësaj, Aleanca kërkoi të dielën, që në dokumentet personale shqiptarët të mos evidentohen si “maqedon që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, ndërsa bartës të sovranitetit të shtetit të jetë të gjitha bashkësitë entike.
“Në kuadër të kësaj fryme pro-evropiane dhe pro-NATO-s, i bëjmë ftesë gjithë aktorëve politikë, maqedonas dhe shqiptarë, që të ulemi dhe të sjellim edhe marrëveshjen e brendshme ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve… Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët do të intervenojë dhe do të kërkojë në mënyrë të fuqishme që qytetarët, bashkësitë etnike, të ndihen të barabartë njëri me tjetrin, pa pasur nevojë që dikush të bartë sovranitetin më tepër, të cilët po ashtu janë sovran”, ka deklaruar Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët.
Marrëveshja me Greqinë, që i hap rrugën anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të jetë e kryer pas referendumit dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni dhe miratimit të saj më pas edhe në Parlamentin e Greqinë.