Tre persona të së njëjtës familje janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të mërkure në Pejë. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital ku mësohet se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Spitali i Pejës, konfirmoi se të plagosurve i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.
Mediat e Kosovës shkruajnë se autoritetet e kanë identifikuar autorin dhe e kanë shpallur atë në kërkim. “Personi i dyshuar për këtë ngjarje ndodhet në kërkim intensiv”, – tha prokurori i çështjes. Ai tha se policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke i siguruar të gjitha provat.