Kasami: Vendimi i Qeverisë për ndaljen e punimeve të stadiumit të Tetovës, ‘urdhër’ nga Grubi


Vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e stadiumit të Tetovës ka shkaktuar reagime të shumta, shkruan Alsat.

Kreu i Komunës Bilall Kasami tha se procedura për ndërtimin është konform ligjit.

Vendimi i Qeverisë sipas Kasamit është marrë nën diktat të Grubit pasi sipas tij objektin kanë dashur t’ia japin një kompanie për lojëra të fatit.

Kasami thotë se në vend që Qeveria e udhëhequr nga kryeministrit teknik Talat Xhaferi ta ndihmojë financiarisht ndërtimin e Stadiumit, ajo miraton vendime në dëm të Tetovës dhe tetovarëve.

“Garantoj të gjithë qytetarët dhe institucionet se gjitha procedurat dhe procesi është në bazë të ligjit, Stadiumi i Tetovës i është dhënë Komunës së Tetovës në shfrytëzim të përhershëm. Ne nuk ndryshojmë destinacionin, ne nuk e prishim stadiumin, por ne ndërtojmë një stadium të ri aty dhe i cili, do i rritet vlera edhe pronës shtetërore me të cilën menaxhon Komuna e Tetovës”. 01:24 “Fatkeqësisht ne e kemi dyshime të bazuara që kjo qeveri në ikje, nën presionin e Artan Grubit ka dashur që edhe objektin e Stadiumit të Tetovës, t’ia japë një kompanie për lojëra të fatit, që aty të bëhet një kazino”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Në vendimin e një dite më parë të Qeverisë për ndalimin e punimeve në stadium thuhet se Komuna e cila e ka në përdorim të përhershëm stadiumin, ia ka dhënë në shfrytëzim Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport.

“Qeveria në arritjen e konkluzioneve të mbledhjes ka marrë parasysh edhe dispozitat e Ligjit për Shfrytëzimin dhe Disponimin me Sendet në Pronë Shtetërore dhe me Sendet në Pronë Komunale, sipas së cilës kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Por, për këtë, Kasami, kundërpërgjigjet duke thënë se “Tetova Transport” vetëm obligohet për ndërtimin e stadiumit dhe nuk i është dhënë në shfrytëzim.

“Ne nuk kemi bërë ndryshimin e pronësisë së stadiumit, edhe më tutje Komuna e Tetovës është shfrytëzues. Ndërmarrja Komuna për Transport është obliguar që të rindërtojë stadiumin, në bazë të gjitha procedurave është bërë shpallja, tenderimi. E njëjta ka kaluar në Byronë për Prokurime Publike në mbikëqyrje”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Qeveria dje njoftoi se do t’i rekomandojë Gjykatës Kushtetuese që ta përshpejtojë procedurën për nismën e parashtruar për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin e Tetovës.

Nga Kushtetuesja për Alsat, thonë se lënda është në fazën e procedurës paraprake.

“Pas dorëzimit të iniciativës, Gjykata Kushtetuese ka formuar lëndë dhe e ka caktuar për ta punuar te gjykatësi dhe këshilltari. Lënda është në fazën e procedurës paraprake dhe po veprohet ndaj të njëjtës në pajtueshmëri me procedurat e rregullores. Është dorëzuar edhe kërkesë deri te Komuna e Tetovës si miratues i aktit, po mblidhen të gjitha të dhënat e nevojshme. Duhet të punohet lënda, ndërkaq sipas Rregullores, gjithmonë Gjykata kur mbledh informata për lëndën, mes tjerash, kërkon edhe mendim nga ai organ që e ka miratuar vendimin. Kur do të jetë në seancë, do ta publikojmë lëndën”, thonë nga Gjykata Kushtetuese./Alsat