Sot mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në garë shtatë kandidatë

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot nga ora 7 deri në 19 do të votojnë në zgjedhjet e shtata me radhë për president shteti.

Kujtojmë se presidenti i parë, Kiro Gligorov, u zgjodh në seancë parlamentare më 27 janar 1991, kur Maqedonia u krijua si shtet i pavarur.

Për Zgjedhjet Presidenciale që do të mbahen sot (24 prill 2024), numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.

Zgjedhjet e fundit presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj 2019, në të cilat Stevo Pendarovski fitoi me 435.656 vota ose 53,59 për qind të numrit të votuesve që dolën dhe votuan në rrethin e dytë.

Ai kandidoi edhe në këto zgjedhje, ndërsa përkrah tij janë Gordana Siljanovska, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maxim Dimitrievski./Alsatm