“Fronti Europian” sonte me tubim në sheshin Maqedonia


Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI sonte do të mbajë tubim në sheshin Maqedonia në Shkup.

Gjatë ditës, kandidatët për deputetë dhe bartësit e listave kanë vijuar me takimet me qytetarët në njësitë zgjedhore në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Kandidati për president Bujar Osmani tha në sheshin e Shkupit se ngjarjet e 27 prillit, të cilat i quajti më të tmerrshmet në historinë e Maqedonisë, janë ende të freskëta.

Osmani ka thënë se ato ngjarje kanë ndodhur vetëm për shkak se Talat Xhaferi është zgjedhur kryetar i Kuvendit dhe vetëm për shkak se ai ka qenë shqiptar, e ka përmendur edhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, për të cilin ka thënë se për pak ka humbur jetën.

“Para shtatë viteve, pothuajse pikërisht sot, diku qindra metra larg këtij vendi, aty në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ndodhën ngjarjet më të tmerrshme të historisë së re të vendit tonë. Ju kujtohen ngjarjet e 27 prillit, fotot e përgjakshme të deputetëve tanë janë ende para nesh. Cila ishte arsyeja? Se Talat Xhaferi u bë kryetar i Kuvendit. Cili ishte problemi? Vetëm se ishte shqiptar dhe asgjë tjetër. Më kujtohen ende fotografitë e Ziadin Selës i cili për pak humbi jetën atë ditë”, tha Osmani.