Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur rreth çështjes së kufijve të Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Kosovën po duan ta bëjnë kurban për Integrimin Evropian të Serbisë, e çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale, transmeton Telegrafi.
“Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën”, ka shkruar Kurti.
Kurti konsideron se Vuçiqit po i ngutet për tri arsye të finalizojë marrëveshjet me Thaçin.
“Por, Vuçiqit edhe po i ngutet, sepse: 1) Thaçi do t’i bëhet i papërdorshëm porsa ta akuzojë Gjykata Speciale; 2) Mogherini mbyll zyrën para fushatës për zgjedhjet evropiane të Majit 2019; 3) Marrëveshja duhet bërë gjersa Kosova ende nuk ka ushtri dhe Lëvizja jonë ende s’është qeveria e re. Çka duhet bërë? Paj, dihet: Vetëvendosje”, ka shkruar Kurti.