Këshilltari i Kurtit për bllokimin e kosovarëve në Serbi: Të gjithë po mbahen peng, mes tyre edhe zv/drejtori i Policisë

Këshilltar për çështje evropiane dhe rajonale në zyrën e kryeministrit, Jeton Zulfaj, ka thënë se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga komuniteti serb.

Të gjithë të bllokuarit, mes tyre dhjetëra fëmijë, sipas tij,“po mbahen peng pa u siguruar ushqim dhe mjekim”.

“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim” – ka shkruar Zulfaj në rrjetin social “X”.

Sipas tij, kjo është një shkelje e hapur e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në Procesin e Berlinit midis BB6 dhe një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet.