Taravari nga Velesi: Dëgjuam kërkesat e qytetarëve, zhvillimi ekonomik është fokusi ynë


Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari sot vizitoi qytetin e Velesit dhe vendbanimet përreth tij. Fillimisht ishte në Xhaminë e Velesit, pastaj vizitoi edhe tregun e qytetit dhe dëgjoi kërkesat e tregtarëve dhe qytetarëve.

“Sot vendosëm ta vizitojmë Maqedoninë lindore dhe ta fillojmë nga qyteti i Velesit për të bashkëbiseduar me tregtarët, njerëzit dhe më pas do të vazhdojmë në lagje dhe vendbanime të tjera”, tha Taravari.

Taravari thekson se vizita e tij në këto vendbanime është dëgjimi i kërkesave të qytetarëve dhe njoftimi nga afër me problemet që ata ballafaqohen.

“Këtu në treg më treguan për punën e tyre, i dëgjuam problemet e tyre kryesore”, tha Taravari duke shtuar se programi i VLEN-it kryesisht bazohet në zhvillimin ekonomik për shkak se edhe Maqedonia e Veriut është me zhvillimin më të vogël ekonomik në Ballkanin Perëndimor.