Konflikti nisi për një vajzë që kishte në makinë, si u vra 18-vjeçari në Tiranë


Euronews Albania ka siguruar detaje të reja në lidhje me vrasjen e 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, mbrëmjen e ditës së dielë në Shkozë.

Dyshohet se “mollë sherri” për nisjen së sherrit mes të rinjve është bërë një vajzë. Në momentet që ndodhi takimi mes të rinjve, dyshohet se vajza ndodhej në automjetin e viktimës.

Tre të mitur të moshës 16 vjeç dhe 15 vjeç, si dhe 20-vjeçar Frensis Shehu, u arrestuan në lidhje me vrasjen.

4 personat e ndaluar u konfliktuan me 18-vjeçarin, teksa ky i fundit doli nga automjeti i tij. Në një moment gjatë zënkës 18-vjeçari u qëllua me thikë në gjoks.

Fatkeqësisht ai nuk mundi dot t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.

“Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.