Kallëzim penal kundër kryerësit të panjohur ka dorëzuar Kryebashkiaku i Karposhit, Stevço Jakimovski, pasi emri i tij u gjet në “listën e zezë” amerikane. Për shkak të implikimit në veprime korruptive, Jakimovskit dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA.
Kryetari i partisë “Grom” dhe kandidati presidencial, Stevço Jakimovski, ka drejtuar akuza se futja në listën e sanksioneve amerikane paraqet përzierje të drejtpërdrejtë në garën zgjedhore.
Ai ka dorëzuar kallëzim penal kundër personit të panjohur dhe thotë se futja e tij në listë është vepër e shërbimeve të huaja të intelegjencës.
“Nuk mund të akuzoj asnjë parti politike. Ka njerëz që janë “dorë e zgjatur” e shërbimeve të huaja dhe të cilët në vazhdimësi krijojnë parakushte që të mund të shkaktojnë dëme. Dëme nuk më shkaktojnë vetëm mua, por edhe gjithë qytetarëve të RMV-së, duke llogaritur afaristë, politikanë etj. Kjo është e pandershme, të jesh në një listë me Osama Bin Laden”, tha Stevço Jakimovski.
Jakimovski bashkë me ish-Kryeprokuroren e PSP-së, Katica Janeva, u futën në “listën e zezë” amerikane që të hënën u publikua nga Departamenti Amerikan I Shtetit, sic u tha, për shkak të implikimeve në veprime korruptive.