U arrestua për mashtrim, Liam Osmani rikthehet sërish në shtëpinë e Big Brother VIP


Liam Osmani është rikthyer në shtëpinë e Big Brother VIP 3, pas 14 ditësh izolim në burg. Ai u arrestua brenda shtëpisë së Big Brother për mashtrim, por u lirua të hënën me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila pranoi kërkesën e tij për rishikimin e vendimit penal të formës së prerë për shkak se procesi ishte bërë në mungesë të tij dhe pa dijeni të plotë të tij.

Ai u kthye në studion e Big Brother dhe produksioni hapi një televotim që publiku të vendosë nëse do të futej sërish në lojë. Rezultati i lexuar nga Zarfi i Kuq, konfirmoi kthimin e tij brenda në shtëpi.
“Kam qëndruar në Burgun e Rrogozhinës, atje nuk kishte televizor por kam qenë me mendje aty brenda. Atje ka djem shumë të mirë që ndodhen në të njëjtën situatë si unë. Nuk ia uroj askujt. Nuk ia uroj as nënave dhe as baballarëve si ata të mitë që u përballën me një situatë të tillë”, tha ai në studio.

Çështja për Liam Osmanin do të fillojë nga e para dhe do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar. Bashkë me shqyrtimin është vendosur edhe pezullimi i ekzekutimit të vendimit të parë dhe rrjedhimisht edhe lirimi i menjëhershëm nga burgu. Procesi do të nis nga fillimi me Liam Osmanin në gjendje të lirë, i cili do të ketë mundësi të paraqitet në seancat gjyqësore, të mbroj veten dhe të ketë dijeni të plotë për gjyqin.
Kujtojmë se Liam Osmani, u arrestua me shumë bujë brenda shtëpisë së BBV. Liam Osmani rezultonte i dënuar në vitin 2022, pasi në vitin 2019 përmes mashtrimit ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani në vlerë rreth 6 mijë euro, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.