Osmani kritikon Albin Kurtin: Kush prish marrëdhëniet me SHBA-të, i bën dëmin më të madh shqiptarëve


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherazi dhe kandidat për president në zgjedhjet që do të mbahen në RMV, ka dhënë një intervistë për Euroneës Albania, ku ka folur për situatën politike në shtetin fqinj.

Osmani tha se synimi i BDI ishte që shqiptarët të futeshin me një kandidat të vetëm në garë për zgjedhjet presidenciale, por kjo nuk u realizua për shkak të përçarjes së Aleancës për Shqiptarët dhe daljes si kandidat të Arben Taravarit.

Osmani nuk dha asnjë koment kur u pyet nëse ishte kryemnistri Kurti, ai i cili shtyu Arben Taravarin të kandidonte, por thumboi kryeministrin e Kosovës duke thënë se detyra e tij është të flasë me Blinken dhe Borrell çdo ditë.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut theksoi se marrëdhëniet e shqiptarëve me SHBA-të janë të shenjta dhe askush nuk duhet t’i prekë ato.

“Nuk jam marrë me ato punë, unë jam Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut. Kur kam marrë detyrën si ministër i Jashtëm e kam gjetur pozicionin e Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës kështu: “Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi që ka si synim normalizimin e marrëdhënieve”. Sot Maqedonia e Veriut e ka qëndrimin zyrtar të ndryshuar në këtë mënyrë: “Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi që ka si qëllim njohjen e ndërsjelltë”. Ky është një kapërcim serioz i qëndrimit të Maqedonisë së Veriut. Unë mund të jem folklorik, por unë duhet të jem në kontakt të drejtpërdrejtë ditor me Blinken dhe Borrell dhe këtë e kam krijuar. Nuk ka më të shenjtë për shqiptarët se sat ë ruajnë partneritetin me SHBA-të çdo gjë tjetër është folklore. Në himnin shqiptar thuhet “kush ik nga lufta është tradhtar”, madje unë do t’i shtoja dhe një fjali “kush prish marrëdhëniet me SHBA-të i bën dëmin më të madh shqiptarëve”, tha Osmani.