Kurti me opozitën, kundër BDI-së – Grubi: Njëjtë veproi edhe në zgjedhjet e kaluara, por pa sukses


Artan Grubi, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i cili vjen nga BDI-ja, i tha Gazetës Express se Kurti nuk e kishte ftuar ndonjë përfaqësues nga kjo parti, kur në fillim të këtij muaji i mblodhi në zyrën e tij në Prishtinë përfaqësuesit e partive opozitare që janë bërë bashkë në një koalicion.

“Nuk kemi patur ftesë. Për arsyet duhet ta pyesni kryeministrin e Kosovës. Gjithashtu edhe për motivet e atij takimi me parti politike, derivate të BDI-së, në opozitë, duhet përgjigjen ta kërkoni në kryeministri, ndërsa verësim për nevojën e atij takimi te shoqëria kosovare”, tha Grubi.

Ai tha se Kurti “pa sukses” kishte vepruar njëjtë edhe në zgjedhjet e mëparshme në RMV.

“E njëjta gjë dhe veprimtari ndodhi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 si dhe në zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, por pa sukses”, tha Grubi për Express.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha gjithashtu së fundmi se Kurti “po përzihet” në çështje politike të Shkupit.

Kurti në fillim të këtij muaji i priti në zyrën e tij në Prishtinë liderët e disa partive politike shqiptare nga Mqedonia e Veriut. Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe Afrim Gashi, kryetar i Aleternativës, ishin ftuar nga shefi i Qeverisë së Kosovës në takimin në të cilin mori pjesë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.

Kurti nga Shkupi tha se se LVV s’merr pjesë në zgjedhjet atje.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, deklaroi Kurti në një konferencë për media.

I pyetur nëse partitë politike shqiptare në RMV duhet të kenë kandidat të tyre për president në të vendit, Kurti tha se për këtë duhet të vendosin ata vet.

“Unë dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa ma të lartë në zgjedhje, sepse kjo i kontribuon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë, përfshirë edhe mërgatën, i ka nxjerrë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut me një përqindje prej 29%, nëse nuk gaboj dhe natyrisht që duhet të vendosin ata vet se a do të ketë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo”, tha Kurti./GazetaExpress