Gjykata administrative do të vendosë se kujt do t’i mbesë ASH-ja, Taravarit apo Selës


Dy kryetarë, dy kuvende, dy kongrese dhe vetëm një parti. Aleanca për Shqiptarët tashmë e ndarë në dy krahë, ende nuk dihet se kujt i takon. Këtë pritet ta vendos Gjykata Administrative. Të dy kryetarët thonë se i kanë vulat. Për këtë pritet të ketë proces gjyqësor në Gjykatë Administrative, pasi të nisin procedimet ligjore, se kush do t’i disponojë vulat, pra kush do të jetë kryetari legjitim i partisë.

Edhe pse ish lideri dhe ai aktual në kongreset e mbajtura e kanë shkarkuar njëri tjetrin, megjithatë është Gjykata ajo që vendos se cili do të jetë kryetari i Aleancës për Shqiptarët. Deri dje miq dhe bashkëpartiakë, Ziadin Sela dhe Arben Taravari, që të dy thonë se janë kryetarë legjitim të partisë. Delegatët me 591 vota të dielën, e zgjodhën Selën që ta udhëheq partinë.

Të premten, gjithashtu në kongresin e jashtëzakonshëm në të cilin morën pjesë 421 delegatë, krahu i Arben Taravarit, e shkarkoi Ziadin Selën nga funksioni i kryetarit të Kuvendit Qëndror dhe e rizgjodhi Taravarin për lider të Aleancës për Shqiparët.

Përçarja në ASH ndodhi pasi Arben Taravari vendosi që në zgjedhjet e ardhshme të garoj më opozitën shqiptare, gjegjësisht koalicionin LEN, ndërsa krahu i Selës dëshiron që të garoj vetëm.