Fazliu: Dështuan projektet kundër Alternativës, Çairi i prin ndryshimit më 8 maj


Takimet e Alternativës me qytetarë dhe aktivistë pas Kumanovës vazhduan në Çair, një tjetër bastion i kësaj partie. Kreu i Degës së Alternativës në Çair, Faton Fazliu, para aktivistëve theksoi se pikërisht Çairi është shndërruar në simbol të ndryshimit që po vjen më 8 maj. Ai përkujtoi se vetëm një vit më pare thureshin projekte e skenarë për ta dëmtuar Alternativën, ndërsa sot kjo parti, bashkë me partitë e tjera opozitare, po i prijnë procesit të fitores në zgjedhjet parlamentare.

“Ajo që Alternativa e filloi para një viti, të pamundurën e bëri të mundur. Në mars të vitit të kaluar shërbetorët shqiptarë të Nikolla Gruevskit e kishin shkarravitur projektin e tyre për ta zhbërë Alternativën, duke i vënë në krye të detyrës disa argatë të tyre në mesin tonë. Kush do të kishte besuar askokohe se vizioni i kryetarit Afrim Gashi do të kishte shkuar përtej dallimeve tona me Lëvizjen Besa, se kjo do ta trimëronte Izetin të del nga BDI dhe do ta bind Taravrin të braktisë qeverinë dhe të bëhet kandidati jonë për president. Çairi kësaj radhe është pararojë e fitores ndaj politikanëve të korruptuar, arrogantë dhe të shkëputur nga realiteti që prej 20 vitesh po i marrin të ardhmen popullit shqiptar”, tha Fazliu.

Ai tha se të gjithë aktivistët nga Çairi nuk do të lënë gur pa lëvizur e shtëpi pa trokitur për ta bërë të mundur fitoren e 8 majit.

“Ju ftoj të flasim me një zë. Sot jemi të motivuar, dhe të bindur se ndryshimet kanë filluar dhe nuk ka kush t’i ndal. Kthim mbrapa nuk ka!”, tha Fazliu.