Arben Taravari: Kur të fitojmë, nuk do të hakmerremi


Kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari me anë të një statusi i ka paralajmëruar të gjithë kundërshtarët politik se kur të vijnë në pushtet nuk do të përdorin metoda respresive. Ka shkruar se do të vazhdojnë qeverisjen me projekte për të mirën e qytetarëve dhe jo projekte hakmarrjesh të kundërshtarëve politik, raporton Alfax.
“Edhe pse mund të kemi bindje apo vizione të tjera politike, ne të gjithë bashkohemi nga dëshira për ta bërë këtë vend sa më të mirë! Kur do të fitojmë, nuk do të vijnë as orë hakmarrjesh, as spastrime masive, por madje do të ketë projekte që do të kërkojnë përmirësimin edhe më shumë të atyre që tani janë pjesë e administratës apo të punësuar në çdo sektor”, ka shkruar Taravari.
Më tej ai ju bën thirrje edhe partive të tjera politike që të bashkohen për të mirën e qytetarëve dhe hyrjen në BE.
“I drejtohem çdo kolegu të partive të tjera, pasi në thelb ne jemi të gjithë kolegë: Le të jemi ne, pa dallim partie, feje, gjuhe apo kombi, klasa e atyre politikanëve që do ta shohin veten si oponentë ideologjik por si partnerë në qëllimet tona më të larta, si është Zhiviillimi i vendit dhe ecja jonë në hartën e BE-së si pjesë organike e saj.
Sado kjo është sfidë, jam i sigurtë që ne mund t’ia dalim dhe këto muaj t’i shëndrojmë në një festë mendimesh, vizionesh dhe mundësish, dhe në fund Fitoftë Më I Miri! Jam i bindur se kemi mbështetjen e vlefshme edhe nga faktori ndërkombëtar, që janë miqtë tanë strategjik, që me mençurinë e tyre dhe dashamirësi janë pranë nesh në këtë moment të veçantë”, përfudon Taravari.