Një i ri shqiptar i ka mbijetuar një atentati të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Athinë, Greqi.
Mediat greke raportojnë se ndërhyrja e policëve të cilët i dhanë ndihmën e parë deri sa mbërriti ambulanca, qenë vendimtare për shpëtimin e jetës së 34-vjeçarit Renis Fajzolli që u qëllua me tre plumba në Votanikos në orët e para të së premtes.
Efektivët e policisë kanë mjekuar plagën e 34-vjeçarit, i cili tashmë ndodhet i shtruar në spitalin “Georgios Gennimatas”.
34-vjeçari u pa në kryqëzimin e Iera Odou me Spyrou Patsis, ku u kërkoi ndihmë policëve kalimtarë në një makinë patrullimi.
Sulmi me armë ndaj tij ka ndodhur pak para orës 04:00 të mëngjesit në një park në zonën e rrugës Sidirokastro. Sipas informacioneve, autorët kanë qenë duke hipur në një mjet me të cilin i janë afruar 34-vjeçarit para se ta qëllojnë tre herë.
Në vendin ku ndodhi ngjarja janë gjetur dhe konfiskuar tre gëzhoja të kalibrit 9 mm.
34-vjeçari u arrestua në vitin 2019 për një çështje droge, por provat e deritanishme nuk tregojnë për përfshirjen e tij në ndonjë rast tjetër të rëndë.