Edi Rama: Paga mesatare e mësuesve do shkojë 950 euro


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë në takimin e mbajtur në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

Në fjalën e tij, Rama tha se shumë shpejt paga e mësueseve do të shkojë drejt një mesatareje prej 950 euro.

“Shqipëria sot ka një portë të re të të ardhmes së saj në aspektin ekonomik dhe reflektim i këtij fakti janë edhe rritjet domethënëse të pagave të cilat do të vazhdojnë, por në ndërkohë që ne sot jemi në kushtet që mund ta vëmë shumë më tepër se dje, potencialin e vendit tonë në dispozicion të ekonomisë dhe familjeve shqiptare. Përballemi me nevojën që çlirimi i këtij potenciali vë përpara të gjithëve ne, nevojën për kapital njerëzor, për njerëz të kualifikuar dhe nevojën për forca pune në të gjitha nivelet. Pagat së shpejti për mësuesit do të shkojnë mesatarisht 950 euro, por nuk mjafton, prandaj ne na duhet të reformojmë sistemin”, deklaroi ai.

Rama shtoi tutje se “mekanizmin e rritjes çdo 5-vjet për shkak të vjetërsisë në punë, ne duhet ta reformojmë komplet”.

Gjithashtu kryeministri theksoi se përveç pagës uniforme, mësuesit duhet të kenë dhe nivele të ndryshme pagash duke u bazuar tek meritat dhe kontributet e tyre.

“Ne duhet të bëjmë të mundur se përveç pagës uniforme, garancisë bazë për të gjithë të ketë nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. Për këtë na duhet një sistem i besueshëm kualifikimesh, trajnimesh dhe kreditesh”, tha Rama para të pranishmëve.