Ish-luftëtari i ISIS-it, Fitim Lladrovci, thotë se në Kosovë mund të ketë sulme terroriste


Me gjithë vëmendjen që i është kushtuar shfaqjes së terroristëve islamikë të rritur në vende si Belgjikë, Francë e vende tjera evropiane, një nga problemet më të mëdha evropiane të radikalizmit po ndodh në cepin e aj.

Kosova, një vend i vogël me shumicë myslimane me rreth 1.8 milion banorë, ka prodhuar më shumë luftëtarë të huaj për kokë banori se çdo vend tjetër perëndimor që kur Shteti Islamik ka shpallur kalifatin e saj më 2014 i cili tashmë nuk është funksional. Katërqind e trembëdhjetë qytetarë të Kosovës iu bashkuan këtij grupi dhe fraksioneve tjera të ekstremistëve islamikë në atë kohë.

Tani që përpiqet t’i bashkohet Bashkimit Evropian, Kosova ka qenë nën presion për të çrrënjosur problemin e radikalizmit – dhe autoritetet thonë se ia kanë dalë. Që nga viti 2013, policia e Kosovës thotë se ka akuzuar mbi 120 terroristë të dyshuar dhe kanë arrestuar edhe më shumë të tjerë, përfshirë edhe imamë të mirënjohur konservatorë të dyshuar për rekrutim të njerëzve për të luftuar jashtë vendit, raporton “The Washington Post”.

“Tani më nuk e shohim terrorizmin si kërcënim”, thotë Kujtim Bytyqi, një nga analistët e lartë qeveritar për politika të sigurisë si dhe udhëheqës i strategjisë së Kosovës për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. “Tani mbizotëron një heshtje totale. Të gjithë imamët, madje edhe nëse dëshirojnë të thonë diçka, po i frikësohen qeverisë”, transmeton Koha.net.

Por shumë prej atyre terroristëve të dyshuar, të dënuar sipas një ligji të vjetër anti-terrorist që kufizon dënimin me burgim deri në 5 vjet, tani po lirohen. Dhe disa thonë se përpjekjet për t’i rehabilituar ata kanë dështuar.

“Po bëhemi më të fuqishëm dhe më të mençur”, thotë Fitim Lladrovci, 28 vjeçar, ish-luftëtar i ISIS-it dhe ish i burgosur, duke iu referuar ekstremistëve. “Terroristët nuk do të riintegrohen, dhe mund të ketë sulme këtu”.

Anne Speckhard, psikiatre që drejton Qendrën Ndërkombëtare për Studim të Ekstremizmit të Dhunshëm, thotë se përçmimi i Lladrovcit për rehabilitim dhe për forcim të bindjeve radikale janë me gjasë emblema të “disa xhihadistëve tjerë militantë të kthyer larg Kosovës”. Megjithatë, ajo thotë se trendi “është i keq për të gjithë ne”.

Është një zhvillim potencialisht ogurzi për përpjekjet e deradikalizimit në të gjithë kontinentin. “Duhet të ofrojmë një model deradikalizimi për tërë Evropën”, thotë Garentina Kraja, hulumtuese e lartë e jashtme për Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë. “Jemi shoqëri me shumicë myslimane, por jemi evropianë sekularë. Prandaj, ndjej se nëse duhet gjetur një shembull diku, është ky vend që duhet të ofrojë një përgjigje”.

Kosova, sipas Daniel Koehler, drejtor i Institutit Gjerman për Studime të Radikalizmit dhe Deradikalizmit, mund të jetë edhe pikë hyrëse në BE për të kryer sulme. Në fillim të qershorit, autoritetet kosovare arrestuan disa të dyshuar për planifikim të sulmeve ndaj trupave të NATO-s në Kosovë si dhe në vende tjera publike në Francë e Belgjikë, transmeton Koha.net.

Që nga muaji prill, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ndihmuar në zbatimin e problemeve rehabilituese në burgjet e Kosovës për të dyshuarit e akuzuar për terrorizëm. Para kësaj, vendi nuk kishte ndonjë program gjithëpërfshirës për rehabilitimin e luftëtarëve, sipas raportit për Kosovën të Komisionit Evropian për vitin 2018.

“Shumica e vendeve evropiane kanë të vendosura programe më stabile. Në Gjermani, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë, ka histori më të gjatë të mirëqenies sociale dhe infrastrukturës së burgjeve sesa në Kosovë”, thotë Koehler. “Kosova ende po kthjellet nga lufta e saj e viteve 1998-99 kundër Serbisë, dhe vuan nga korrupsioni në sektorin publik dhe me probleme të sundimit të ligjit”.

Programi i ri i drejtuar nga SHBA-ja dërgon psikologë, sociologë, punëtorë socialë dhe imamë të moderuar qeveritarë nga Komuniteti Islam i Kosovës për të punuar me të burgosur nën akuza të terrorizmit.

Ajo strategji – rehabilitimi i ekstremistëve përmes riedukimit islam – është testuar më parë në Arabinë Saudite dhe në vende tjera arabe, thotë Koehler, “por kjo metodë rrallëherë funksionon”. Lladrovci, i cili është liruar nga burgu tre muaj më parë pasi qëndroi atje për më shumë se tre vjet, tallet me idenë e dërgimit të imamëve të moderuar të dërguar nga shërbimet inteligjente. Sipas tij, të kthyerit nuk do t’i pranojnë ata imamë “sepse ata nuk janë myslimanë të vërtetë”.

Anne Speckhard, psikiatre që drejton Qendrën Ndërkombëtare për Studim të Ekstremizmit të Dhunshëm, thotë po ashtu se programi ka synim të gabuar: Bindjen e individëve që të mos përdorin dhunë në vend që të tentojnë t’i deradikalizojnë të gjithë së bashku, transmeton Koha.net.

Speckhard beson se deradikalizimi duhet të jetë synimi; një person vërtet i deradikalizuar, thotë ajo, “nuk do të kthehet në terrorizëm lehtësisht” ndërsa ai që është “shkëputur” nga dhuna por që ideologjikisht është ende i përkushtuar, ka “shumë më shumë gjasa të kthehet”.

Liridon Kabashi, 31 vjeçar, një tjetër pjesëtar i Shtetit Islamik, thotë se ai nuk është përballur asnjëherë me ndonjë përpjekje për trajtim në burg. “Për dy vjet kam dëgjuar të flitet për programin, por asnjëherë s’e kam parë në realitet”, thotë Kabashi, i cili u kthye në Kosovë më 2013 dhe vuajti dënimin me burgim prej tre vjetësh.

Për dallim nga Lladrovci, ai ndjen keqardhje që i është bashkuar Shtetit Islamik dhe asnjëherë nuk i ka arsyetuar sulmet terroriste nëpër Evropë. Ai thotë se “të kthyer tjerë” përqafojnë një ideologji radikale dhe kanë nevojë për “programe të vërteta deradikalizimi dhe ri-integrimi” para se të bëhen më të sofistikuar dhe të organizojnë sulme në të ardhmen në Kosovë apo jashtë.

Ky raportim është mbështetur nga Qendra Pulitzer për Raportim në Kriza.