Murseli para prokurorisë: Ngjarja është ndryshe nga ajo që u publikua në internet


Naim Murseli, i dyshuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes Liridona Ademaj, ka thënë në dëshminë para Prokurorisë Themelore se ngjarja e ndodhur më 29 nëntor (2023), është tërësisht ndryshe nga ajo që u publikua në internet.

Ai të mërkurën dha dëshminë në Departamentin për Krime të Rënda, ka konfirmuar avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, duke shtuar se dëshmia do të vijojë në një datë tjetër.

“Sot para Prokurorisë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtimin e veprës penale ‘vrasje e rëndë në bashkëkryerje’, nga neni 173, paragrafi 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KP-së…I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”, ka thënë Zhinipotoku për KOHËN.

Sipas avokates, deklarimi i të pandehurit është ndërprerë për shkak të mbarimit të orarit.

“Meqë sot është ndërprerë deklarimi i të pandehurit për shkak të mbarimit të orarit dhe deklarimi s’ka arritur të përfundojë, është caktuar një datë tjetër për vazhdimin e marrjes në pyetje të të pandehurit”, ka shtuar ajo.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e kishte raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia kishte njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.