Kuvendi sot pritet të zgjedh anëtarët e rinj të Komisionit të Antikorrupsionit

Në Kuvend për sot është caktuar seanca e 135-të, në rend dite të së cilës një nga pikat është Propozim-vendimi për zgjedhje të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.

Për kryetar të KSHPK-së është propozuar Tatjana Dimitrovska, ekonomiste e diplomuar nga Shkupi dhe e punësuar në Entin Shtetëror për Revizion (ESHR), e cila nga anëtarët e Komisionit për Seleksionim fitoi 76 pikë. Për anëtarë të KSHPK-së është propozuar gjyqtarja e Gjykatës Themelore Sofija Spasova Medarska me 75,86 pikë të fituara, dy këshilltarë të deritanishëm në KSHPK Biljana Karakashova Shulev me 74,28 dhe Besnik Xhemaili me 74,14 pikë, revizorët Zoran Bogoevski me 73,57, Cveta Ristovska me 70,57 dhe Demir Servet me 67,28 pikë.

Sipas Ligjit për Parandalim të Korrupsionit dhe ndeshjes së interesave, nëse Kuvendi nuk zgjedh kryetar dhe anëtarë të Komisionit Shtetëror, procedura për zgjedhje përsëritet plotësisht me shpalljen e konkursit menjëherë, ndërsa jo më vonë nga afati prej dhjetë ditësh.

Komisioni i ri duhet të fillojë me punë më 8 shkurt.