Ish-deputeti i Kosovës Haxhi Shala sot del para Speciales


Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, sot do të ketë paraqitjen e parë përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pas arrestimit të tij dy ditë më parë, dje gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Haxhi Shalës, ku thuhet se i njëjti midis së paku 5 Prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala dhe dy persona të tjerë u takuan me dëshmitarin 1.

Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1. Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”, tha ZPS-ja.

Tutje, sipas aktakuzës, thuhet se “kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në aktakuzën e konfirmuar, thuhet se Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sa i përket kontekstit të çështjes, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 Tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar. /klankosova