Opozita shqiptare ka akuzuar sot partitë e pushtetit se me qëllim kanë caktuar 8 majin për datë për zgjedhje për të pamundësuar që diaspora shqiptare të votojë. Ata thonë se ata janë përkujdesur në detaje që votuesi mos të merr pjesë në zgjedhjet, ndërsa kanë shtuar se në këtë Pazar kanë hyrë edhe VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët.
“Ja cilat janë arsyet pse BDI në bashkëpunim me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në kanë vendosur që zgjedhjet të mbahen me 8 maj 2024.
E PARA: Që ti pamundësohet diasporës të vijë dhe të votojë. BDI, për arsye të ngushta personale, bashkë me VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në, vendosën që zgjedhjet të mbahen më 8 maj, të mërkurën, pra në mes të javës, që diaspora të mos mund të vijë të votojë.
E DYTA: Ky veprim i BDI-së, është një skenar i fshehtë dhe servil ndaj partive maqedonase, për të dëmtuar faktorizimin e shqiptarëve në qeverinë e ardhshme. Kjo për shkak se me mosardhjen e diasporës për të votuar, shqiptarët do të kenë më pakë vota, më pak deputetë, ndërsa LSDM dhe VMRO-DPMNE do të rrisin përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
E TRETA: Zgjedhjet parlamentare i kanë caktuar me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, për të manipuluar në të njëjtën kohë të dy zgjedhjet.
Pushteti, po ashtu tenton që këto zgjedhje ti mbajnë nën kontrollin e plotë BDI-ja, LSDM-ja dhe Aleanca për Shqiptarët. Kjo për faktin se po bëjnë çdo shkelje të mundshme kushtetuese, që mos ia japë anëtarin e KSHZ-së opozitës, së cilës i takon”, thuhet në reagimin e Lidhjes Europiane për Ndryshim.
Megjithatë ata thonë se LEN nuk do të lejojë që diaspora që çdo vit sjell 1.5 miliardë euro në buxhetin e shtetit të mos votojë.
“Po ashtu nuk do të lejojmë që BDI, LSDM dhe ASH të vendosin nën kthetrat e tyre edhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili është institucioni i vetëm ku mund të ketë shpresë për funksionim normal”, thuhet mes tjerash në reagimin e LEN-it.