Në Maqedoninë e Veriut parandalohet kontrabanda e 50 tonëve naftë nga Shqipëria


Drejtoria e Doganave në Maqedoninë e Veriut njofton se është parandaluar tentativa për të kontrabanduar 50 tonë naftë të deklaruar si vaj bazë, shkruan TV21. Autoritetet doganore thonë se nafta po transportohej me dy automjete mallrash-cisterna, ndërsa theksojnë se ndaj autorëve tashmë është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Publike.

“Konkretisht, në hyrje të vendit në pikën kufitare të Qafë Thanës kanë mbërritur dy automjete mallrash me cisterna të regjistruara për transit. Dërguesi i mallit është kompani nga Shqipëria, ndërsa pranuesi është kompani nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Për shkak të dyshimeve për dokumentacionin e paraqitur dhe llojin e mallit të deklaruar, mjetet motorike janë ndaluar për kontroll të mëtejshëm. Në të njëjtën kohë u morën mostra për analiza laboratorike. Nga rezultatet e marra nga analizat laboratorike, si dhe nga dokumentet e eksportit të marra në bashkëpunim me administratën doganore shqiptare, u konstatua se në dy mjetet cisternat, në vend të vajit bazë të deklaruar, ka karburant dizel për të cilat detyrimet e importit në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë më të larta, përkatësisht është tentuar që gjatë importimit të mallrave të akcizës të shmangen detyrimet në sasi më të mëdha”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

Vlera e sasisë së përgjithshme të naftës vlerësohet të jetë 3.121.626 denarë, për të cilat taksat doganore janë 1.745.327 denarë. Automjetet dhe karburantet janë konfiskuar përkohësisht.