Tensione brenda ASH-së: Njerëzit e Taravarit dhe ata të Selës me takime të ndara paralele në Kumanovë

Tensionet brenda ASH-së tash e një kohë janë përshkallëzuar dhe duket sikur po i afrohen pikës së vlimit. Këtë e dëshmojnë edhe takimet paralele që janë zhvilluar sonte në Kumanovë.

Në një takim me rininë, ish-kryetari Ziadin Sela dhe deputeti i zonës Elmi Aziri zgjodhën kryetarin e ri të Forumit Rinor për Kumanovë, por ky takim u bojkotua totalisht nga struktura e Aleancës në këtë qytet.

Kryesia e Degës së Kumanovës, bashkë me kryetarët e nëndegës, kryetarin e forumit rinor dhe kryetaren e forumit të gruas, këshilltarë e funksionarë të tjerë nga Kumanova u mblodhën në një takim paralel, duke demonstruar mospajtimin e tyre me vendimet imponuara të Ziadin Selës. Mësohet se struktura e degës së Kumanovës janë besnikë të kryetarit aktual Arben Taravari, duke shfaqur kështu edhe një herë tensionet Taravari-Sela brenda ASH-së.

Përçarje të tilla ka thuajse në çdo degë dhe çdo nivel të organizimit të brendshëm në këtë parti, ndërsa burojnë kryesisht për shkak të afërsisë së Ziadin Selës me BDI-në së fundmi. Një grup me ndikim në ASH, i udhëhequr nga Sela dhe Krenar Lloga, po shtyjnë gjithnjë e më shumë për koalicion me lista të përbashkëta me BDI-në e Ali Ahmetit në zgjedhjet e ardhshme.